Ballina Aktualitet Shkarkohet e paditet zyrtari i ZRVPP, u përfshi në fushatë

Shkarkohet e paditet zyrtari i ZRVPP, u përfshi në fushatë

Ministri i Drejtësisë, Gazment Bardhi shkarkoi dje nga detyra regjistruesin e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në (ZVRPP) në Shkodër, Mondi Ndou, pasi ka marrë pjesë në fushatën zgjedhore. Ndou është kallëzuar në Prokurori nga ministri i Drejtësisë. Regjistruesi i ZVRPP ishte denoncuar, pasi merrte pjesë aktive në fushatë elektorale.
Në një njoftim për shtyp të Ministrisë së Drejtësisë thuhet se, ministri i Drejtësisë Gazment Bardhi, shkarkoi nga detyra Regjistruesin e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Shkodër Mondi Ndou, si dhe ia referoi rastin e tij Prokurorisë, për veprën penale të përfshirjes në kundërshtim me ligjin në fushatën zgjedhore të një subjekti zgjedhor.
“Shkarkimi, erdhi pas verifikimit të kryer, si dhe informacioneve të plota të marra, ku konstatohet përfshirja e Mondi Ndou, në fushatën zgjedhore në kundërshtim me ligjin. Për këtë qëllim, ministri i Drejtësisë i ka referuar çështjen organeve të Prokurorisë, si dhe ka vënë në dijeni Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm, për shkak se ekziston dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova, se shtetasi Mondi Ndou, me detyrë Regjistrues në ZRPP Shkodër, ka kryer veprën penale të parashikuar nga neni 328/a të Kodit Penal.
Ministria e Drejtësisë inkurajon çdo qytetar që të denoncojë në faqen zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë, të gjitha rastet e përfshirjes në fushatë apo përdorimit të funksionit publik në favor të një subjekti zgjedhor, si dhe garanton qytetarët jo vetëm për ruajtjen e anonimatit, por edhe për ndjekjen me seriozitet maksimal të këtyre rasteve. “Aktualisht, falë bashkëpunimit me qytetarët, Ministria e Drejtësisë ka në trajtim dhe verifikim një numër të konsiderueshëm rastesh, për të cilat do të shprehet pas përmbylljes së procesit të verifikimit. Bardhi siguron se është i vendosur në zbatimin e ligjit dhe do të veprojë me tolerancë zero për çdo angazhim politik në kundërshtim me ligjin të punonjësve të administratës shtetërore në varësi të Ministrisë së Drejtësisë”, përfundon njoftimi i Ministrisë së Drejtësisë.
Po ashtu, para tre ditësh u pezullua nga detyra drejtoresha e Qendrës Shëndetësore numër 1 në Lushnjë, pasi kishte marrë pjesë në fushatën zgjedhore të PS, duke detyruar edhe mjekët e infermierët që të marrin pjesë në mitingun e Ramës në Fier. Shkarkimi është bërë nga ministri i Shëndetësisë pas denoncimit të këtij skandali në media.
Një ditë më parë u denoncua drejtori i OSHEE, Lushnjë pasi kishte dalë në fushatë për Partinë Socialiste sëbashku me deputetin Erion Braçe. Denoncimi është bërë nga kryetari degës së PD Lushnjë, Myslim Murrizi. Kreu i PD Lushnjë ka postuar edhe fotot në Facebook, ku duket drejtori i OSHEE së bashku me Braçen në fushatë. “Drejtori i OSHEE Lushnjë, sot në fushatë me deputetin e PS, Erion Braçe në njësinë Kolonjë, Lushnjë. Në orën 12:00 ky paguhet nga taksat e qytetarëve për t’iu shërbyer atyre, jo për t’i shërbyer partisë. Ndaj heziton Rama të emërojë drejtorët teknikë, sipas marrëveshjes, se i duhen lakejtë për fushatë”, shkruante Murrizi.
Në fushatën e PS po përdoren edhe mësuesit e maturantët. Në qytetin e Sarandës, Zyra Arsimore i përdor mësuesit për fushatën zgjedhore, duke kërcënuar me heqje nga puna kush nuk merr pjesë në takimin elektoral të PS. Astrit Llanaj edhe pse ka dy vite që ka dalë në pesion, prapë vazhdon të kërcënojë njerëzit dhe arsimtarët e qytetit të Sarandës. Kryeministri Rama po përdor edhe shkollat për mitingjet e tij elektorale. Lokalet e takimeve për shkak të përdorimit nga PS të klasave të shkollave, ato janë dëmtuar.

R.POLISI

Exit mobile version