Nis epoka “Spaleti”

Luçano Spaleti në stolin e Interit. Dhe me zyrtarizimin e trajnerit të ri pritet të nxehet edhe merkatoja e zikaltërve, nga e cila pritet shumë pas një sezoni të shëmtuar. “Gazzetta dello Sport” shkruan se objektivat për t’u korrigjuar këtë verë do të jenë mbi të gjitha nga krahët: Konti, Darmian dhe Vrsalijko janë idetë, por edhe më të shumtë janë emrat për sa u përket sektorëve të tjerë (Spaleti do të bëjë gjithçka në të njëjtën kohë për të mbajtur edhe Perisiçin, me Junajtid dhe Çelsin që kanë nisur ofensivën).
Por goditja e parë e Valter Sabatinit quhet Antonio Rydiger dhe sipas informacioneve të fundit gjermani e ka pranuar ofertën e Interit dhe është gati që të largohet nga Roma me destinacion Milanon. Për të është gati një kontratë 5-vjeçare, nga e cila do të përfitonte 3 milionë euro neto në sezon.
Tani mbetet të diskutohet me Romën për vlerën e kartonit. Drejtori sportiv Monçi ka qëlluar shumë lart, duke kërkuar 40 milionë euro, por për të mbyllur operacionin oferta e Interit nuk i kalon 30 milionë eurot. Për uljen e pretendimeve nga kryeqytetasit mund të futet në lojë edhe transferimi i Kondogbiasë në “Olimpico”.
Por projekti i ri zikaltër ka në shënjestër një tjetër romanist, Razha Naingolanin. Oferta e “Suning”-ut për mesfushorin belg mund të arrijë deri në 40 milionë euro.
Por mesfushori i Romës është vetëpërjashtuar nga merkatoja, duke i premtuar besnikëri klubit: “Dua të qëndroj te Roma. Refuzova Çelsin vitin e shkuar. Spaleti tek Interi? Unë nuk di asgjë, por nga ana ime, dua të qëndroj dhe e kam thënë gjithnjë”.