Montella rinovon me Milanin deri më 2019

Vicenzo Montella rinovon kontratën me Milanin. Tre orë ka zgjatur takimi mes drejtorit të Përgjithshëm, Marco Fasone dhe trajnerit të kuqezinjve, ku në fund u arrit marrëveshja mes palëve për zgjatjen e bashkëpunimit edhe për një vit. Kontrata e re e trajnerit skadon më 2019. Njoftimi është bërë publik në faqen zyrtare të Milanit, në rrjetin social Facebook. Kontrata ka kënaqur Montellën, i cili edhe më herët ishte shprehur i gatshëm që të vazhdonte aventurën e tij në krye të stolit të kuqezinjve.
Duket se retë e dyshimit për një largim të mundshëm të teknikut nuk janë më. Prej kohësh 42-vjeçari ishte në pritje të këtij momenti dhe më në fund erdhi konfirmimi nga ana e drejtuesve të klubit. Se sa efikase do të jetë puna e Montellës në të ardhmen kjo mbetet për t’u parë. Ndërkohë nga ana tjetër Milani po zhvillon një merkato voluminoze nga ku kanë ardhur dhe zyrtarizimet e para. Për sezonin e ardhshëm, Vicenzo Montella ka një objektiv minimal të sigurojë Champions League, objektiv që do të lidhet edhe me të ardhmen e teknikut.