FIFA, Shqipëria mbetet e 66-ta

Asnjë ndryshim pozicioni për kombëtaren shqiptare të futbollit në renditjen e re të publikuar nga FIFA. Edhe për klasifikimin e muajit maj, kuqezinjtë e Gianni de Biasit, vazhdojnë të mbajnë vendin e 66. Qëndrimi në vendnumëro vjen për shkak se kuqezinjtë gjatë kësaj periudhe nuk kanë zhvilluar asnjë ndeshje zyrtare ose miqësore. Ndërkohë që stanjacioni ka karakterizuar edhe rivalët e grupit për Botërorin “Rusi 2018”. Spanja qëndron në vendin e 10-të, ndërsa përsa i përket Italisë, të kaltërit mbajnë vendin e 12-të.
Një tjetër kundërshtar i joni Maqedonia, ka humbur tri vende duke rrëshkitur nga vendi i 133 në të 136. Është përmirësuar ndjeshëm në klasifikim Izraeli, me të cilët Shqipëria do të ndeshet pas miqësores kundër Luksemburgut, ka parakaluar 8 vende duke u renditur i 55. Lihteshtejni ka lënë vendin e 189 dhe është pozicionuar në të 186. Sërish zbritje në tabelën e re të renditjes së FIFA-s për përfaqësuesen e Kosovës. Ekipi i Bunjakut nga vendi i 172 ka zbritur një shkallë më poshtë në të 173-in. Renditja botërore e organit më të lartë të botës së futbollit, qëndron po e njëjta edhe përsa i përket vendeve të para. Brazili është skuadra që udhëheq, menjëherë pas tyre vjen Argjentina, ndërsa në të tretin është kombëtarja gjermane.