Demiraj merr pjesë në ceremoninë mortore të efektivit të policisë

Ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj sëbashku me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Haki Çako, morën pjesë dje në ceremoninë mortore të punonjësit të policisë, Lorent Duli, i cili humbi jetën tragjikisht në krye të detyrës. Demiraj ishte edhe në familjen e të ndjerit ku shprehu ngushëllimet më të thella në emër të Ministrisë së Brendshme dhe shprehu gatishmërinë për mbështetje të pakursyer. Po ashtu, ministri Demiraj vizitoi në spital edhe dy efektivët e plagosur, duke u uruar shërim të shpejtë.
Ngjarja e rëndë ndodhi të mërkurën në fshatin Fitore. Punonjësit e policisë kishin përfunduar së kryeri kontroll territori mbi parandalimin e kultivimit të lëndëve narkotike, në zonat e Devollit të Sipërm dhe po ktheheshin nga shërbimi. Mjeti tip “Mitsubishi” me targa Policia 0305, ka dalë nga rruga dhe për pasojë ka ndërruar jetë punonjësi i Policisë shtetasi Lorent Duli 27 vjeç, (me detyrë SPZ në Njësinë Administrative Miras) si dhe janë plagosur tre punonjës të tjerë shërbimi, të cilët janë duke marrë mjekim në Spitalin e Bilishtit.
Shkaku paraprak i aksidentit dyshohet të ketë qenë humbja e kontrollit nga ana e drejtuesit Duli, punonjësi i cili humbi jetën. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.