Daul: Mos i votoni ata që ju çojnë në qorrsokak

Presidenti i Partive Popullore Evropiane (PPE), Joseph Daul, nga Gjilani, ju ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që mos t’i votojnë ata që ju çojnë në qorrsokak, por votoni Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe kandidatin e saj Avdullah Hoti, i cili e çon Kosovën në Evropë. “Brenda dy javësh do të merren vendime të mëdha për Kosovën. Unë i porosit votuesit që të mos zgjedhin që ta çojnë Kosovën në një qorrsokak, por të votojnë LDK-në për një të ardhme evropiane”, ka thënë Daul. Presidenti i PPE, grupit më të madh parlamentar në Parlamentin Evropian, ka thënë se më 11 qershor Kosova do të marrë një vendim shumë të rëndësishëm, do të shkojë drejt një qorrsokaku dhe konflikteve të brendshme, ose do të vendosë t’i zgjedhë deputetët e LDK-së, që do ta çojnë Kosovën në një të ardhme evropiane. Ai ka vlerësuar lart kandidaturën e Avdullah Hotit për kryeministër duke thënë se ai është një frymë e re për të cilën Kosova ka nevojë. “Unë kam pasur kënaqësinë ta takoj z. Hoti dhe besoj që keni bërë një zgjidhje të duhur për ta çuar Kosovën në një të ardhme të mirë. Është i ri dhe kompetent, është një frymë e re dhe është njeri për të cilin Kosova ka nevojë”, ka thënë Daul. Ai e ka falënderuar kryeministrin Isa Mustafa, për ruajtjen e vlerave të LDK-së, të cilat i ka ruajtur edhe në raste kur ka qenë i rrezikuar, nga gazi lotsjellës dhe molotovi. Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, e ka vlerësuar lart mbështetjen që po i jep LDK-së PPE-ja, me pjesëmarrjen e presidentit të saj në Kosovë, Joseph Daul.
Mustafa e ka falënderuar kryetarin e Degës së LDK-së dhe njëkohësisht kryetarin e Gjilanit, Lutfi Haziri, për mbështetje që i ka dhënë profesor Hotit. Kandidati për kryeministër, Avdullah Hoti, ka thënë se me fitoren e koalicionit të djathtë do të përfundojë koha kur institucionet shtetërore kanë punuar për interesa personale. “Ju garantoj se ky koalicion do të merret me temat më të vështira për vendin dhe do t’i kryejë me sukses ato. Me fitoren e koalicionit të shpresës do të marrë fund edhe koha kur institucionet e shtetit kanë punuar për interesa të tre-katër personave dhe tani e tutje ato do të jenë në shërbim të qytetarit”, ka thënë Hoti. Ai ka shtuar se është shumë i kënaqur me entuziazmin dhe pjesëmarrjen e përkrahësve të koalicionit në secilin vend të Kosovës që e kanë vizituar dhe me këtë entuziazëm do ta mbyllim fushatën me fitoren e 11 qershorit. Kryetari Haziri ka thënë se kandidati për kryeministër nga LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti i ka të gjitha tiparet për të qenë një kryeministër i suksesshëm në Kosovë. Ai ka thënë se të gjithë deputetët e koalicionit të djathtë do të votojnë të gjitha vendimet e mëdha që do t’i sjellë kryeministri Hoti në Kuvend.