300 kv falas familjeve të varfra, 250 mijë lekë pensioni minimal

Lulzim Basha dhe ekipi i tij hapën fushatën në Vaun e Dejës. Basha tha se Republika e re do të jetë e njerëzve të thjeshtë dhe jo e një grushti oligarkësh.
“Çfarë është Republika e re?! E nesërmja e sigurtë do të thotë pension minimal prej 250 mijë lekësh për çdo pensionist shqiptar, do të thotë ndihmë ekonomike për të gjitha familjet që kanë nevojë për ndihmë ekonomike dhe jo kjo lëmoshë mjerane që jepet sot. Pagesë të energjisë elektrike deri në 300 kilovat për çdo familje në nevojë, pagesë e faturave të ujit për të gjitha familjet në ndihmë ekonomike. E nesërmja e sigurtë do të thotë shkolla me drekë falas për fëmijët shqiptarë. Republika e re do të garantojë brenda 4 viteve të para drekën falas për të gjithë fëmijët shqiptarë në sistemin arsimor publik dhe pas drekës aktivitete passhkollore deri në orën 16.00. Ju garantoj se në krye të 4 viteve, duke anuluar qindra milionë euro të Ilir Beqajt dhe Vilma Nushit me shokë, ne do të kemi më shumë shtretër në spitale, më shumë mjekë, mjekë më cilësorë, aparatura, ilaçet e nevojshme në farmacitë e spitaleve për të mos shkuar jashtë tyre”, tha Basha.
Ai u shpreh se ekonomia është rritur vetëm për miqtë e Edi Ramës, ndërsa për shqiptarët e thjeshtë është rënduar siç e tregoi edhe falsifikimi i shifrave të rritjes ekonomike.
“Edi Rama thotë se ekonomia është rritur, ju nuk e kuptoni. Sot në mëngjes vetë INSTAT-i, Instituti i Statistikave të Shqipërisë, i kontrolluar nga i emëruari i Ramës, tha se rritja ekonomike në këto vite është më e ulët se ajo që kishim shpallur. U detyrua të pranonte se rritja ekonomike që kishin shpallur ishte falsifikuar për qëllime politike. Këtë e thotë INSTAT-i, por s’ka nevojë ta thotë. Pyesni xhepat tuaj. Ju e dini më mirë se çdo institut, se çdo institucion kombëtar apo ndërkombëtar, se në çfarë gjendje është ekonomia juaj personale, ekonomia juaj familjare. Nuk ka nevojë as t’ua them unë dhe as Edi Rama. Por fakti se Edi Rama thotë se ekonomia është rritur dhe ju nuk e kuptoni është tregues se sa jashtë realitetit është njeriu që kërkon të jetë prapë kryeministër për 4 vitet e ardhshme”, tha Basha.
Kreu i PD u ndal tek rrënimi ekonomik i çdo familjeje shqiptare sot, ndërsa solli në vëmendje rritjen e taksave që varfëruan buxhetet familjare të shqiptarëve, ai përmendi papunësinë, ku në këto katër vite jo vetëm që nuk u hap asnjë vend pune, por numri i të papunëve u rrit edhe më tej. Basha tha se sot qeveria ka shkurtuar në mënyrë drastike listën e përfituesve të ndihmës ekonomike, duke i lënë shqiptarët të vuajnë në varfëri ekstreme.
“Ekonomia është shkatërruar, taksat janë rritur, papunësia është kudo plaga më e madhe, nuk ka punë, nuk ka lekë, çmimet e larta, taksat e larta, biznesi në faliment, shkollat keq e më keq, shëndetësia në pikiatë, ndihma ekonomike një tallje, sepse për ndihmën ekonomike të Vaut të Dejës do të mjaftonin të mos hanin një darkë vetëm një herë koalicioni i ngjalave dhe i peshkut, që tani nuk është më koalicion, se janë bërë copë-copë, edhe Vau i Dejës do të kishte ndihmë ekonomike, edhe shqiptarët do të kishin ndihmë ekonomike nëse ato para nuk do të shpenzoheshin për luksin e shfrenuar qeveritar. Kjo është e vërteta që prekim bashkë në këto katër vite, kjo është e vërteta siç ma keni treguar në fytyrat tuaja, lëkurën tuaj, në shpinën tuaj. Kjo është e vërteta, të cilës nuk i ikën dot asnjë njeri me mendje në kokë, por ka një njeri, i cili gjithë këtë fushatë e ka nisur për t’i ikur kësaj të vërtete. Ky po bën gjithçka që këtë fushatë vetëm për gjendjen ekonomike mos të flitet, vetëm për papunësinë të mos flitet, vetëm për korrupsionin të mos flitej”.

Rikthim tarifave doganore për prodhimet bujqësore të importit

Një program ambicioz në mbështetje të fermerëve dhe bujqësisë në tërësi. Kreu i PD, Lulzim Basha garantoi dje ngritjen fuqishëm të bujqësisë në Shqipëri. Ai foli për një program konkret mbështetjeje që synon subvencionimin e fermerëve përmes një fondi prej 100 milionë eurosh. Më konkretisht, Basha bëri të ditur se subvencioni do të parashikojë një kosto prej 50 mijë lekësh për dynym, ndërsa bëri të ditur se masa të tjera do të favorizojnë fermerët siç janë imputet, puna mekanike apo edhe rikthimi i tarifave doganore për prodhimet bujqësore që importohen. Kjo do të favorizojë prodhimet vendase në treg.
“Me Republikën e re 100 milionë euro subvencione, çdo vit për çdo familje fermere që do të thotë mesatarisht 50 mijë lekë për dynym, zerim të kostos mekanike dhe do të merremi po kështu me të gjithë pjesën tjetër të kostos së punës mekanike, me imputet, me plehrat, me infrastrukturën bujqësore, rrugët, kanalet vaditëse, sigurimin e tregjeve, në mënyrë që Shqipëria të kthehet në një gjenerator të fuqishëm të punësimit.
I frymëzuar nga shembulli i Presidentit Trump unë do të rikthej tarifat proporcionale doganore për të gjitha prodhimet bujqësore që vijnë nga jashtë Shqipërisë. Djersa e fermerit shqiptar do të barazohet me djersën e fermerit europian.
Ekonomia e fortë hap rrugën për një të nesërme të sigurtë, ku sistemi shëndetësor, i cili nuk premtoj se do të jetë falas, sepse nuk mund të jetë falas”, bëri të ditur Basha.

Fund shpenzimeve për luks qeveritar

Shpenzimet qindra milionë euro për luks qeveritar do të marrin fund. Basha deklaroi se taksat e qytetarëve do të përkthehen në shërbime dhe mirëqenie për ta. Duke e cilësuar ekonominë si në gjendje tejet katastrofike për shkak të keqqeverisjes Rama, Basha deklaroi se sot shqiptarët përballen me fasadat dhe nuk ndjejnë asnjë mbështetje për hallet e përditshme, të cilat janë varfëria dhe papunësia. Duke shpalosur programin ekonomik të PD, Basha deklaroi se qeverisja e djathtë që në ditët e para të saj do të ulë taksat duke vendosur taksën e sheshtë 9%, një masë që do të çlirojë ekonominë, do të lehtësojë bizneset duke nxitur automatikisht hapjen e vendeve të punës.
“Jemi këtu për të bërë bilancin e plotë të asaj që ti bëre dhe nuk bëre në këto katër vite. E vërteta është kjo që thonë shqiptarët. E vërteta është se ekonomia është katastrofë, Edi Rama nuk do ta kuptojë. Sepse që ta kuptojë është që sot të ndalë fushatën, të hapë krahun dhe të kërkojë falje. Të votosh për Edi Ramën i bie sikur të është prishur makina, ta çosh në garazh e ky ta kthejë me një dorë boje tjetër, pa ia rregulluar motorin. Se ky nuk do t’i fusë duart të bëjë punën e vërtetë, sepse për të Shqipëria janë fasadat, palmat, për mua Shqipëria jeni ju.
Unë do t’i marr vendimet e vështira, por të domosdoshme për ta çuar Shqipërinë në një ekonomi të fortë dhe të nesërme të sigurtë, për çdo shqiptar e çdo shqiptare. Vendimet e forta, vendimet e duhura, për të cilat jam angazhuar dhe të parat i kam marrë me ekipin fitues të Republikës së re. Ishin vendime të vështira, por të domosdoshme, ishin vendimet që më takonin mua dhe i hapin rrugë të tjera vendimeve që u hapin rrugën Republikës së re.
Unë nuk do të harxhoj qindra milionë euro të taksave tuaja për luks të shfrenuar ku shqiptarët e thjeshtë vuajnë për bukën e gojë. Vendimi im i parë në funksion të ekonomisë së fortë do të jenë taksat e ulëta, ulja e TVSH, taksa e sheshtë 9% që do të çlirojnë qindra milionë euro në ekonominë shqiptare. Para që do të gjenerojnë punësim përmes investimeve kapitale private, do të gjenerojnë rritje të pagave, konsum të lartë dhe kështu do të nisë një cikël zhvillimi ekonomik. Miliona euro koncesione që do të anulohen”, tha Basha.

Anulim të gjitha tenderave dhe koncesioneve korruptive

Një nga vendimet e para të qeverisjes Basha do të jetë anulimi i të gjitha koncesioneve korruptive dhe tenderave abuzivë që në këto katër vite kanë zhvatur miliona euro nga paratë e shqiptarëve. Basha u premtoi qytetarëve se të gjitha paratë e koncesioneve do t’u kthehen shqiptarëve qindrakë më qindrakë. Basha premtoi se angazhimi i tij prioritar në qeverisje do të jetë forcimi i ekonomisë dhe krijimi i vendeve të punës.
“Vendimi im tjetër do të jetë që ato qindra milion që i çon për koncesione e për tendera për miqtë e tij do të shkojnë për të ndërtuar një urë për të rinjtë shqiptarë, një vit stazh të paguar me 200 mijë lekë në muaj. Për një vit çdo i sapodiplomuar, 10 mijë studentë, shqiptarët më të mirët. Unë do të punoj që ditën e parë për punësimin e të rinjve dhe të reja shqiptare.
Këta njerëz duhet ta dinë se koncesionet dhe tenderat korruptivë nuk do të kenë asnjë kompromis. Ditën e parë këto koncesione do të anulohen, këto pra do të shkojnë për të ndihmuar një sektor dhe kjo është bujqësia”, tha Basha.