Vendimi i parë do të jetë ulja e TVSH-së dhe taksa e sheshtë

Nuk mund të ketë shtet të fortë pa ekonomi të fortë. Por një ekonomi e fortë do të thotë, qytetarë me mundësi për punë dhe mirëqenie. Lulzim Basha dhe ekipi i tij hapën fushatën në qytetin e Sarandës.
Basha foli për programin ekonomik të PD, program i cili parashikon çlirimin e ekonomisë dhe forcimit të saj. Ai bëri të ditur se ky program mban firmën e ekspertëve ekonomikë gjermanë, pjesë e skuadrës së Partisë tonë simotër Unionit Kristiandemokrat të Angela Merkel. Me programin ekonomik, Basha tha se vendimi i parë do të jetë ulja e TVSH-së dhe taksa e sheshtë.
“Fare i ri pata mundësinë të studioj në një nga vendet më të përparuara e të zhvilluara demokratike, me ekonomi të fortë, në Holandë. Por kudo ku kam qenë, kam parë se një shtet demokratik me ekonomi të fortë e bën qytetari i fortë, sipërmarrësi i fortë, sindikatat e forta, fermeri i fortë dhe jo kryeministri i fortë. Kryeministri krekoset, qytetarët zvarriten. Ky nuk është shtet i fortë. Ky është shtet i falimentuar, shtet i shkatërruar. Nuk ka politikan të përgjegjshëm që pretendon se po bën shtet kur shqiptarët po varfërohen, kur çmimet rriten ditë për ditë, kur papunësia rritet, kur shëndetësia është në pikë të hallit. E mbani mend të gjithë se çfarë premtoi para 4 vitesh? Premtoi 300 mijë vende pune, por vende pune nuk hapi. Premtoi ulje taksash, por taksat u rritën. Premtoi uljen e çmimeve dhe çmimet janë më të larta. Fermerët i la në mes të baltës. Premtoi rend dhe siguri. Mori Eskobarin në qeveri. E mbushi Shqipërinë me drogë dhe mori Eskobarin në qeveri. Rend dhe siguri me Eskobarin në qeveri, ky është bilanci i Edi Ramës”, tha Basha.
Kryetari i opozitës tha se e vërteta është ndryshe nga sa thotë Edi Rama.
“Dje tha se ekonomia po rritet, por populli nuk e kupton. E vërteta është krejt ndryshe. Edi Rama, ekonomia është katastrofë, je ti që nuk e kupton se ke humbur çdo lidhje me realitetin e njerëzve të thjeshtë. Je futur në moçal dhe bashkë me një tufë njerëzish, hani e pini në moçal dhe i keni zënë tokën e bukës një populli të tërë. Ndaj 25 qershori është dita për ta tharë moçalin e për të larguar njëherë e mirë këta grabitqarë. Demokracia nuk mund të vazhdojë të jetë moçali ku fryhen e majmen një grusht politikanësh. Nuk mund të jetë më ku jetojnë e bëjnë para vetëm një grusht politikanësh dhe njerëzit e lidhur me ta. Që të jetë demokraci, duhet të funksionojë për çdo qytetar. Që të jetë demokraci e vërtetë, duhet t’i krijojë mundësi çdo qytetari, të jetojë me punën e tij, me punën e saj të ndershme. Ky është premtimi i Republikës së re”, tha Basha.
Basha u shpreh se do të jetë kryeministri i shqiptarëve, i halleve dhe problemeve të tyre. Garancia është programi i tij i hartuar nga ekspertët e kancelares gjermane Merkel.
“Unë do të jem kryeministri i halleve tuaja, i problemeve tuaja, i shpresave tuaja, i zgjidhjeve tuaja. Unë do të jem kryeministri i qytetarëve, kryeministri i ekonomisë dhe për këtë unë vij para jush me një program ekonomik, i cili ka vulat e ekspertëve më të mirë të Europës, ekspertëve ekonomikë gjermanë, pjesë e skuadrës së Partisë tonë simotër Unionit Kristiandemokrat të Angela Merkel, e cila po kështu konkurron këto zgjedhje e po kështu do t’i fitojë këto zgjedhje si ne në qershor. Me programin ekonomik, me vulat gjermane, vendimi i parë do të jetë ulja e TVSH-së dhe taksa e sheshtë. Ekonomia shqiptare do të rimëkëmbet dhe do të hapë vende pune. Kjo është, ekonomia e fortë, prioriteti im numër një dhe realiteti i Republikës së re”, tha Basha.

Asnjë pazar me kauzën e qytetarëve

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i dha një përgjigje të prerë zërave për një koalicion të mundshëm paszgjedhor me PS. Basha garantoi qytetarët se besimin e tyre nuk e kthen në pazar, ndërsa kishte një mesazh edhe për Lëvizjen Socialiste për Integrim. “Republika e re do të triumfojë më 25 qershor. Ne nuk bëjmë pazar me kauzën e qytetarëve shqiptarë, me asnjë nga thithlopat e Republikës së vjetër. Rama do të japë llogari për dështimin total. Edhe LSI ta ketë të qartë se koha e matrapazëve në politikë që shkojnë sa andej këndej shit këlyshë e bli qen merr fund më 25 qershor. Nuk ka më. Ndaj të gjithë ata votues që jeni tunduar me teserat e partive të pazarit që ua kanë dhënë për t’u mbajtur peng, dijeni se votat për këto parti janë vota të hedhura në det, kurrë më pazari ‘bli këlyshë e shit qen’ nuk do të ecë me PD, mos harroni ne jemi të bashkuar, e gjithë opozita është e bashkuar, ata janë të përçarë. Ne e dimë se ku po shkojmë, tani është koha juaj të bashkoheni”, u shpreh Basha. Kryetari i opozitës, premtoi se me reformën kushtetuese që do të bëhet nga Parlamenti i ri, qytetarët do të mund të shkarkojnë deputetët, të cilët nuk u përgjigjen. Për këtë ai ofroi një model amerikan. “Republika e re është vendi ku qytetarët kanë në duar politikën dhe jo politika ka në dorë qytetarët. Kjo fillon me reformën kushtetuese që sot është pjesë e marrëveshjes politike që i hapi rrugë pjesëmarrjes së opozitës në zgjedhje dhe me këtë reformë kushtetuese ju premtoj deputetët që këtej e tutje nuk do t’i zgjedhin kryetarët e partive, por do t’i zgjidhni ju qytetarët dhe sa më takon mua në Parlamentin e ardhshëm ata deputetë që nuk iu përgjigjen ju do të keni mundësinë jo vetëm t’i zgjidhni, por edhe t‘i shkarkoni përpara fundit të mandatit sipas sistemit Recall të SHBA. Ju do të keni pushtetin për të shkarkuar deputetët që nuk ju përgjigjen që shkojnë pas interesit të veta dhe jo interesit tuaj. Me Republikën e re teatri dhe tallja do të marrë fund, tha Basha, ndërsa pushteti do t’i kthehet qytetarëve”, tha ai.

Edhe në grahmat e fundit, Rama nuk ndahet dot nga koncesionet

Ministria e Energjisë dhe Industrisë ka shpallur një tjetër procedurë koncesioni dhe këtë herë bëhet fjalë për hidrocentralin e Lunikut. Sipas dokumenteve mësohet se hidrocentrali do të jetë në segmentin ujor të pellgut ujëmbledhës të Zallit të Lunikut nga kuota 273 metra mbi nivelin e detit deri në kuotën 492 metra mbi nivelin e detit, duke respektuar kushtet teknike të projektimit dhe moscenimit të objekteve që parashikohen të ndërtohen në këtë pellg ujëmbledhës. Në fakt mbi këtë lumë është parashikuar që të ngrihen të paktën 5 hidrocentrale, referuar raportimeve të mëparshme, por sot mbetet e paqartë si paraqitet situata pasi për dy prej tyre puna ka nisur shumë më herët. Ekspertët ambientalistë kanë vënë theksin në mënyrë të vazhdueshme tek impakti negativ që kanë këto hidrocentrale që kalojnë në Parkun Kombëtar të Librazhdit. Vetëm për këtë zonë ka pasur interes dhe parashikim për 45 hidrocentrale. Ministria e Energjisë dhe Industrisë duket se ka intensifikuar së fundmi shpalljen e procedurave të koncesioneve për hidrocentrale të rëndësishme nga Bushtrica 1, 2 dhe 3, tek Grabova 1 dhe 2, Kalivaçi dhe së fundmi Luniku. Ky i fundit do të ketë sërish një afat 35-vjeçar sipas formulës së partneritetit publik privat dhe ofertat duhet të paraqiten brenda datës 30 qershor.