Rrobaqepës e këpucarë kandidatë për vettingun?

Lista me emrat që kaloi Komisioni i posaçëm parlamentar për Vettingun është miratuar me 67 kandidatë të përzgjedhur për institucionet e vettingut. Emrat e sjellë kanë probleme jo të pakta në biografitë e tyre, ndërsa po verifikohen që dalin edhe kandidatë që kanë në rrobaqepsi apo këpucarë. Sipas Flamur Nokës, janë penalizuar shumë kandidatë me vlera, ndërsa janë kaluar në fazën tjetër të vlerësimit njerëz pa përvojë. “Siç jeni në dijeni, në detyrën tonë kushtetuese ne deputetët e opozitës kishim kërkuar transparencë të plotë ndaj publikut, nevoja e qytetarëve për të ditur se kush do të bëjë vettingun e gjyqtarëve na detyroi të bënin seanca të hapura me të gjithë pretendentët. Prej dy ditësh kemi parë nivelin e asaj liste. Një listë ku pretendon Edi Rama nëpërmjet Avokatit të Popullit dhe drejtorive të tij të paraqesë si komision vettingu për gjyqtarët dhe prokurorët juristë të pakualifikuar.
Edhe ai 1% i pretendentëve që ishte në listë dhe që mund të ishin konform kritereve dhe nivelit të pranueshëm profesional ishin politikë sepse në atë listë kishte ish-anëtarë të KQZ që kanë përfaqësuar PS-në në KQZ, në atë listë kishte prokurorë që kanë mbajtur qëndrime të qarta politike, gjyqtarë që kanë qenë zëvendësministra të PS-së. Pjesa tjetër ishte e mbushur me nivelin e ulët të sistemit të drejtësisë dhe merreni me mend çfarë produkti do të kishte vettingu. Ju patë dje live që Avokati i Popullit kishte zbatuar dy standarde. Kishte 2 persona që ishin në konflikt të pastër interesi dhe ONM i kishte kualifikuar dhe kishte disa të tjerë në të njëjtat kushte dhe ishin skualifikuar. Ajo listë ishte tërësisht politike dhe sot anëtarët e mazhorancës në komision, pra dy përfaqësuesit e PS dhe ai i LSI morën një vendim politik për të futur vetëm 67 që ka caktuar Edi Rama nëpërmjet Avokatit të Popullit”, deklaroi Noka. Ai tha se mes kandidatëve kishte ish-punonjës rrobaqepësie apo fabrika këpucësh. “Ju patë dje juristë që kishin punuar në ndërmarrje rrobaqepësie, në fabrika këpucësh. Vinin si juristë dhe na nderonin si të ishin kaptera ushtrie dhe këta do të bëjnë vettingun. Janë të nderuar në punën e tyre, por nuk mund të bëjnë vettingun. Në emër të opozitës, të PD-së kam për detyrë t’u bëj me dije qytetarëve se kjo është lista që ka zgjedhur Edi Rama për të bërë vettingun. Lista do të shkojë tek 2 komisionet e tjera. Komisioni ynë nuk voton, tek dy komisionet e tjera bëhet votimi. Komisioni ynë thjesht të bëjë transparencën”, tha Noka. Njësoj skeptik ishte edhe Luan Rama i LSI-së. Sipas tij, janë përdorur dy standarde vlerësimi për të njëjtët njerëz. ONM dhe Avokati i Popullit, sipas Luan Ramës, kanë dhënë rekomandime negative për dikë që ka vëllain apo bashkëshortin në sistemin e drejtësisë, ndërsa për aplikantë të tjerë me të njëjtat kushte është dhënë rekomandim pozitiv. “U bë një diskutim i gjatë dhe i detajuar në komision në lidhje me vendimmarrjen e Komisionit për Vlerësimin e Kandidatëve për institucionet e vettingut. Unë parashtrova idenë e gjykimit mbi bazën e një konsensusi pasi në të tre listat, edhe në listën me rekomandime negative nga ONM, ka emra që mund të vlerësoheshin për t’u përfshirë në listën e miratuar. Unë flas për atë që them unë, me listën e miratuar nga Avokati i Popullit dhe që është çertifikuar dhe nga ONM ka njerëz që janë në të njëjtat kushte me ca të tjera që ONM dhe Avokati i Popullit nuk i kanë kaluar, që do të thotë kemi qëndrim me dy standarde. Më vjen mirë që edhe PD ka ndarë të njëjtin shqetësim sepse ky është një qëndrim parimor ndaj procesit të përzgjedhjes që ka rezultuar me mangësi”, deklaroi Luan Rama.