Ronaldo: Jemi më të mirët

Cristiano Ronaldo mendon se po kalon ndoshta një nga momentet më të mira të karrierës. Në një intervistë për “RMTV”, ai tregoi se kjo e shtyn të jetë optimist edhe për duelin ndaj Juventusit ku portugezi shpreson të bëjë të vetin përsëri trofeun më të rëndësishëm për klube në Europë.
Modestia nuk është virtyt për të cilin shquhet Cristiano Ronaldo. Sulmuesi portugez, në një dalje publike para finales së Championsit ndaj Juventusit theksoi se Reali i Madridit është skuadër më e fortë se bardhezinjtë, ndaj meriton ta fitojë këtë trofe.
“Duhet të jemi të përulur, por të mos e ekzagjerojmë. Kemi një shans të artë për triumfin e dyfishtë dhe shpresojmë të fitojmë. Juventusi është një skuadër e madhe, por besoj se ne jemi më të fortë se ata”, u shpreh Ronaldo.
32-vjeçari është shfaqur në formë të jazhtëzakonshme në muajt e fundit, duke shënuar rregullisht. Meritë për këtë, sipas portugezit ka Zinedine Zidane. “Ndihem shumë mirë fizikisht, madje më në formë se sezonet e kaluara, pasi po kaloj një periudhë shumë të mirë. Kam luajtur më pak gjatë këtij sezoni, megjithatë kam më shumë minuta se të gjithë lojtarët e tjerë të Realit. Kjo është meritë e trajnerit Zidane, që ka ditur të ekonomizojë forcat, por edhe e shokëve të mi të skuadrës”, tha ai.
Ëndrra e Ronaldos është të fitojë Championsin e katërt në karrierë dhe të dytin radhazi për Los Blancos. “Si fitohet një finale? Duke shënuar dhe vuajtur në fushë. Fakti që kemi mundur ta fitojmë kampionatin na jep më shumë qetësi. Tani duam të shkruajmë historinë duke e fituar dy herë radhazi Championsin”, përfundoi Ronaldo.
Ndërkohë, trajneri Zinedine Zidane ka marrë një lajm të keq, pasi vetë Gareth Bale e ka konfirmuar se nuk është gati 100 për qind. Ai tha se nuk ka luajtur që shtatë javë dhe nuk është gati për të luajtur 90 minuta, pavarësisht se është stërvitur nga dy herë në ditë. “Unë jam shëruar, por nuk jam 100 për qind gati edhe pse kam punuar nga dy herë në ditë në javët e fundit, në mënyrë që të jem sa më i përgatitur”, ka thënë Bale. Ai po ashtu tha se finalja e Cardiffit do të jetë speciale për të, sepse luhet në qytetin e tij të lindjes dhe këtë e kishte ëndërruar gjithmonë. Në vend të Bale në finale nga minuta e parë pritet të luajë mesfushori spanjoll, Isco.