A po shkohet drejt një një Europe gjermane?

Giorgio la Malfa

Përplasja midis Shteteve të Bashkuara dhe Gjermanisë gjatë samitit të G7-ës në Taormina duhet të ketë qenë jashtëzakonisht i ashpër dhe i drejtpërdrejtë. Fjalët e kancelares gjermane, Angela Merkel gjatë një manifestimi politik në Gjermani pak orë pas përfundimit të samitit nuk lënë dyshime: “Kohërat në të cilat mund ta mbështesnim besimin plotësisht tek të tjerët, ka thënë ajo, kanë kaluar, këtë e kam kuptuar ditët e fundit”. Dhe në polemikë të hapur me Shtetet e Bashkuara, ka shtuar: “Ne europianët duhet ta marrim vërtet fatin tonë në duart tona”.
Nuk është hera e parë që lindin moskuptime midis Europës dhe Shteteve të Bashkuara, por ndoshta është hera e parë që protagonistët në vend që t’i minimizojnë divergjencat duke ua besuar diplomacive kërkimin e pikave të përbashkëta, i shfaqin hapur kundërshtitë dhe propozojnë që t’u nxjerrin pasojat politike. Ndodhitë e G7-ës, pavarësisht përpjekjeve të qeverisë italiane për të nxjerrë në dritë pikat e konvergjencës, ka mundësi që të jenë të destinuara të shënojnë në mënyrë të thellë raportet midis Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian, në mënyrë të veçantë raportet me Gjermaninë.
Duke parë dimensionin që, me fjalët e Merkel, ka marrë përplasja, për ta kuptuar më shumë është e nevojshme të kihen informacione më të mëdha lidhur me zhvillimin e mbledhjes së Taormina dhe mbi pikën që ka shkaktuar polemikën. Gazetat e vendosin theksin në orientimin e Donald Trump për të refuzuar marrëveshjen e Parisit lidhur me klimën, por që ky është pozicioni amerikan nuk mund t’i ketë befasuar vendet e G7-ës. As nuk mendoj që objekt i kontestimit të kenë qenë raportet me Rusinë, që të gjithë do të donin t’i përmirësonin, edhe pse sjelljet konkrete të qeverisë ruse nuk e bëjnë të lehtë këtë evolucion.
Përshtypja është se pikat e ndjeshme kanë qenë deklarimet e Trump lidhur me teprinë e eksporteve gjermane, sidomos të makinave, drejt Shteteve të Bashkuara. Trump duhet të ketë kërkuar një vetëkufizim nga ana e Gjermanisë, në mungesë të së cilës qeveria amerikane mund të vendosë marrjen e masave proteksioniste të tregut të brendshëm. Ka mundësi që lidhur me këtë ka ndodhur përplasja, sepse Gjermania nuk pranon asnjë kufizim të aftësisë së saj për të pushtuar tregjet e huaja.
Teza gjermane është se konsumatorët i blejnë produktet gjermane sepse janë më të mirë se ato të konkurrentëve të tyre dhe se, duke qëndruar kështu gjërat, nuk është e mendueshme që Gjermania ta reduktojë kompetitivitetin e produkteve të saj vetëm për të plotësuar aftësinë e pamjaftueshme konkurrenciale të të tjerëve.
Për këto tema diskutohet, jo vetëm midis Gjermanisë dhe Shteteve të Bashkuara, por edhe në Europë pasi ka një sufiçit tregtar të madh gjerman, të cilin Gjermania refuzon që ta rregullojë në mënyrë më të thjeshtë e të drejtpërdrejtë, që është ai i rritjes së kërkesës së brendshme, duke kontribuar kështu në riekuilibrimin e llogarive me jashtë të vetat dhe të vendeve të tjera të Bashkimit Europian.
Besoj se kjo ka qenë tema bazë e përplasjes në G7 midis Shteteve të Bashkuara dhe Gjermanisë. Përtej polemikave imediate, ajo duhet të zgjidhet me shumë bonsens sa nga njëra anë, aq edhe nga tjetra. Sepse është e vërtetë që një vend nuk mund t’i bëjë vullnetarisht më pak konkurruese mallrat e veta, ai mund ta stimulojë kërkesën e brendshme dhe në këtë mënyrë të ndihmojë vendet e tjera që të eksportojnë më shumë.
Por lidhur me këtë pikë, Gjermania reagon gjithmonë në mënyrë jashtëzakonisht negative, si në gjirin e Bashkimit Europian, ashtu edhe në nivel ndërkombëtar. Por, nëse është kështu, atëherë çfarë kuptimi do të kishte një integrim më i madh europian që do të riprodhonte saktësisht këtë filozofi që i lejon Gjermanisë avantazhet e rritjes dhe të tjerëve barrën e rreptësisë financiare? Nga ana tjetër, përkrah propozimit të një bashkëpunimi më të madh lidhur me temën e emigracionit apo të një përshpejtimi të integrimit në fushën ushtarake, në propozimet e djeshme të Merkel është tashmë kërkesa e bërë në mënyrë të përsëritur, për të zgjedhur një president gjerman në Bankën Qendrore Europiane, duke përmbysur kështu krejtësisht politikat që ajo ka ndjekur gjatë këtyre viteve. Kjo ka pasur një konfirmim të qartë në fjalët e Mario Draghi përpara Parlamentit Europian, me të cilat nëse nga njëra anë ai ka vërtetuar një rigjallërim të caktuar ekonomik të eurozonës, nga ana tjetër ka konfirmuar nevojën e vazhdimit me politikat monetare që ndihmojnë të mbahen të ulëta përqindjet e interesit. Nëse kandidati i kancelares Merkel do të zgjidhej në krye të BQE-së, atëherë filozofia e Draghit do të përmbysej totalisht.
Këto janë arsyet për të cilat propozimi gjerman për një integrim më të madh europian duhet studiuar hollësisht me shpirt mjaft kritik, përpara se të lëshohemi në një entuziazëm sipërfaqësor. Dalja e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian bart me vete një dizekuilibër politik në gjirin e Bashkimit Europian: e rrit jashtë mase peshën e Gjermanisë, e cila nuk mund të frenohet nga një Francë e dobësuar. Rreziku i një theksimi të integrimit europian në këto kushte është që të plazmojë vetëm sipas Gjermanisë institucionet europiane, duke i dhënë këtij vendi një pozicion tepër mbizotërues, si në fushën ekonomike, ashtu edhe në atë politike e sociale.
Më shumë se 60 vite më parë, në një diskutim të famshëm drejtuar rinisë gjermane, Thomas Mann tha se Gjermania duhej t’i siguronte popujt e Europës rreth synimeve bazë të saj. Donin ata, shtroi pyetjen Thomas Mann, një Gjermani europiane apo donin një Europë gjermane? Akoma dje prapa fjalëve të kancelares Merkel ravijëzohej ky profil: atë të një Gjermanie europiane apo atë të një Europe gjermane?
Prania e Britanisë së Madhe në gjirin e Bashkimit Europian dhe kufizimet e thella të miqësisë midis Europës dhe Shteteve të Bashkuara kanë garantuar për një kohë të gjatë që të shkohej drejt një Europe të mbështetur mbi një ekuilibër midis vendeve anëtare. Kancelarja Merkel ka thënë se Europa duhet ta marrë në duart e saj fatin e saj. Por ama ky fat duhet të jetë ai i të gjitha vendeve europiane. Nuk mund të përkojë me atë të Gjermanisë.

“Autori është politikan italian”

Përgatiti:
ARMIN TIRANA