Paolo Maldini i rikthehet kombëtares italiane

Paolo Maldini i rikthehet kombëtares italiane. Ish-kapiteni i Milanit mund të rikthehet sërish pranë gjirit të të kaltërve, në rolin e menaxherit të kombëtares. Federata italiane e Futbollit ka propozuar emrin e ish-mbrojtësit të Milanit si pasues të Lele Orialit, i cili në korrik, pas përfundimit të Europiani U-21 do të rikthehet tek Inter. Gjithsesi ky nuk është një mision i lehtë. Në ditët në vazhdim pritet që mes palëve të ketë një takim për të biseduar më gjerësisht rreth kësaj çështjeje. Kandidati tjetër për të zëvendësuar Orialin është ai i ish-mesfushorit të Juventusit Marco Tardellit, i cili nga viti 2008 deri më 2013 ka qenë në rolin e asistentit pranë kombëtares irlandeze.
Tekniku aktual i 4 herë kampionëve të botës Gian Piero Venttura ka propozuar emrin e Francesco Tottit, por dëshira e federatës është që rolin e menaxherit të skuadrës ta mbulojë një emër i madh i futbollit italian, siç është ai i Paolo Maldinit, i cili në të kaluarën e tij ka lënë gjurmë të thella në historinë e futbollit. Më herët Maldinit iu propozuar rol drejtuesi edhe pranë klubit të Milanit, por oferta e bërë nuk e ka bindur 48-vjeçarin të pranojë propozimin. Mbrojtësi i dha lamtumirën kuqezinjve në vitin 2009 dhe prej atij momenti marrëdhënia me ish-skuadrën e tij nuk ka qenë nga më të mirat.