Ministria e Arsimit: Ndëshkim për punonjësit që përfshihen në fushatë

Ministria e Arsimit dhe Sporteve në një deklaratë ka sqaruar se do të verifikojë çdo punonjës të arsimit, nëse ka patur angazhime në fushatën zgjedhore. “Në kushtet, kur fushata zgjedhore ka filluar, sjellim në vëmendjen tuaj detyrimet ligjore dhe ndryshimet në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë, të cilat kanë përcaktuar qartazi detyrimet ligjore të personave me funksione publike gjatë fushatës zgjedhore. Mbi bazën e informacioneve, Ministria e Arsimit dhe Sportit është duke bërë verifikimet për të gjitha rastet e konstatuara, ku drejtues të institucioneve arsimore apo punonjës të sistemit arsimor, janë raportuar të angazhuar në fushatën elektorale, në kundërshtim me përcaktimet ligjore, si më poshtë:
-Drejtore e Zyrës Arsimore Rajonale, Librazhd, znj. Bardha Qatja.
-Punonjësi i Zyrës Arsimore Kolonjë z. Ermal Zylfo, duke mbështetur fushatën elektorale të kandidates për zgjedhjet Parlamentare, e cila rezulton Drejtues i Drejtorisë Arsimore Rajonale, Ersekë.
-Drejtuesi i Zyrës Arsimore Tepelenë, z. Shkëlqim Imera.
-Drejtuese e Zyrës Arsimore, Kuçovë znj. Eglantina Zeqo.
Përsa më sipër, dëshirojmë të sjellim në vëmendjen e kujtdo që synon të kryejë veprime të tilla të kundërligjshme, në kundërshtim të hapur të akteve ligjore në fuqi, se ngjarje të tilla do të jenë objekt verifikimi dhe sipas rastit objekt penalizimi administrativ dhe juridiko-penal nga organet ligj zbatuese përkatëse”, thuhet në reagimin e Ministrisë. Ministria e Arsimit dhe Sportit do të intensifikojë monitorimin e të gjithë procesit mësimor, si dhe të gjithë informacionet dhe komunikimet e përcjella përmes medias së shkruar dhe asaj elektronike, për të mundësuar një përmbyllje të suksesshme të arsimit parauniversitar, transparencë dhe informacion mbi vlerësimet e Maturës Shtetërore, duke kërkuar nga të gjithë, zbatimin e përpiktë të përcaktimeve ligjore.