KQZ ndan fondin e fushatës, ja sa përfitojnë partitë në garë

KQZ ka miratuar dje fondet publike që do t’u shpërndahen partive politike të regjistruara si subjekte zgjedhore për zgjedhjet e 25 qershorit. Në total janë 65 milionë lekë dhe fondi paraprak për partitë ndahet në 2 pjesë, nga të cilat 95% shkon për partitë që kanë më shumë vota dhe vetëm 5% për partitë e vogla. Kështu, PS përfiton nga buxheti i shtetit 28 milionë lekë dhe ndiqet në listë nga partia më e madhe opozitare në vend, Partia Demokratike, e cila përfiton 20.7 milionë lekë. LSI merr nga buxheti i shtetit 7.1 milionë lekë si partia e tretë më e madhe në vend. Pas saj renditen PR e Fatmir Mediut me 2.1 milionë lekë, PDIU me 1.7 milionë dhe Fryma e Re Demokratike me 1.1 milionë lekë. PDS dhe PSD gjithashtu përfitojnë sipas numrit të votave të mbledhura në zgjedhjet e fundit. 10 partitë e tjera përfitojnë një kuotë të barabartë nga KQZ, shumën prej 325 mijë lekësh. Por nëse pas zgjedhjeve, ato nuk e kalojnë pragun e nevojshëm të votave sipas Kodit Zgjedhor, pra 0.5% të votave në shkallë vendi, detyrohen që këtë shumë ta rikthejnë sërish në KQZ.