Interesat e kredive më të lira se kurrë

Nëse merr hua në lekë në një bankë, interesat që duhet të paguash për përdorimin e këtyre parave janë më të lira se kurrë ndonjëherë. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, norma e interesit të huave të reja në lekë për muajin prill ka zbritur në 5.25%, si asnjëherë më parë. Vetëm një muaj më parë, interesi mesatar i kredive në banka ishte 6.97%. Rënia e interesave ka qenë e fortë për kreditë afatshkurtra, ku ato që duhen shlyer brenda 6 muajve deri në 1 vit kanë zbritur nga 6.71% në mars në 3.89% në prill. Edhe huatë deri në 6 muaj kishin interes 6.55%, nga 8.44% muajin e mëparshëm. Për herë të parë, interesat e kredive në lekë janë të barabarta me ato në euro. Në prill, norma mesatare e kredive në euro u rrit nga 4.58% në 5.13%. Historikisht kreditë në euro kanë pasur interes më të ulët dhe kjo bënte që shumë biznese dhe individë t’i drejtoheshin valutës, pavarësisht se të ardhurat mund t’i kishin në lekë, duke qenë të ekspozuar në këtë mënyrë ndaj rrezikut të kursit të këmbimit. Shumë prej tyre madje u “dogjën” kur euro kërceu nga rreth 124 lekë në vitin 2008, në 140 lekë vitet e mëvonshme dhe vetëm aktualisht euro ka zbritur në rreth 134 lekë. Pavarësisht se interesat janë shumë të favorshme dhe bankat kanë shtuar ofertat, sidomos për individët, sërish huaja për ekonominë mbetet e tkurrur. Të dhënat e fundit të Bankës së Shqipërisë tregojnë se në muajin prill, stoku i huasë për ekonominë zbriti në 545 miliardë lekë, duke u reduktuar me 2.5 miliardë lekë apo rreth 0.5% në raport me muajin e mëparshëm. Me bazë vjetore (prill 2017/prill 2016), kredia për ekonominë i është rikthyer rënies, duke u reduktuar me 0.4%.
Interesat e ulëta mbeten një faktor nxitës, por gjithsesi ka faktorë të tjerë që veprojnë kundër kreditimit, si stepja e bizneseve në pritje të përfundimit të zgjedhjeve, mbajtja e standardeve të kreditimit të shtrënguara nga bankat, sidomos për bizneset apo dhe frenimi i konsumit.

Të dytët në rajon për nivelin e lartë të kredive me probleme

Shqipëria renditet e dyta në rajon pas Serbisë për nivelin e lartë të kredive me probleme duke shkuar në normat 16.5%. Por pavarësisht trendit rënës, BE e konsideron ende nivel të lartë. Për ekspertët ky fakt është tregues se ekonomia ka probleme të thella strukturore. Arjan Kadare thotë se ekonomia po rritet nën potencialin e saj duke i krijuar biznesit pak mundësi për të shlyer huatë dhe në këto kushte ka më pak kërkesa në bankë. Kadare: Bankat natyrisht janë djegur nga huaja që ka qenë shumë e lartë në të kaluarën dhe vazhdon të jetë e lartë, pra fitimet e bankave e paguajnë. Por edhe bizneset, duke parë një ekonomi që rritet me ritme relativisht të ulëta kundrejt potencialit bën që edhe bizneset që kanë mundësi të marrin kredi nga bankat nuk kanë kërkesë për një gjë të tillë. Për ekspertin dhe ish-zv.ministrin e Financave, Sherefedin Shehu barra mbi bizneset është rritur duke i krijuar vërshtirësi për të shlyer borxhet.
Shehu: Eficenca e ulët e parave publike, mungesa e stimujve në ekonomi, që domethënë qeveria nuk ka hedhur para në sektor që ndihmojnë në rritjen ekonomike. Nga ana tjetër është rritur edhe barra mbi bizneset, që do të thotë se i është marrë fryma dhe nuk ka patur hapësirë për rritje ekonomike dhe për shlyerjen e detyrimeve që ka ndaj sistemit bankar. Të ndodhur në këtë situatë, sipas Prof. Kadare, bankat kanë gjetur një shteg të lirë, atë të dërgimit të kredive jashtë kufijve. Kadare: Vendet e tjera që na rrethojnë e kanë më të ulët dhe kjo shpjegon pse bankat shqiptare, një pjesë të kredisë dhe një pjesë të fondeve po i kalojnë në vendet fqinje. Sipas Sherefedin Shehut biznesit nuk po i krijohen mundësi për t’u zgjeruar. Shehu: Mungon një klimë, mungon një ambient, mungon politika, të cilat nxisin zhvillimin ekonomik të vendit, prandaj biznesi nuk rritet dhe nuk ka aftësi paguese për të shlyer detyrimet ndaj bankave. Duket se ndryshimi i legjislacionit vitin e kaluar dhe mbështetja me kredi e qeverisë nga FMN nuk po jep efektet e pritura për uljen e kredive të këqija.

Rritje rekord e borxhit shtetëror

Është dyfishuar borxhi shtetëror gjatë tri viteve të fundit të qeverisjes. Rritja rekord parashihet të mbërrijë në fundvit, kur ky borxh do të jetë në shkallën 18.64 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (GDP).
Në fund të vitit 2014, kur ka nisur mandati qeverisës i koalicionit të kaluar, borxhi ishte vetëm në shkallën 10,63 për qind të GDP-së. Ndërkaq për vitin 2020 parashihet që të mbërrijë në 21.6 për qind. Kjo nënkupton një borxh sa vetë buxheti vjetor i Kosovës.
Të dhënat janë të përfshira në programin e borxhit shtetëror referuar periudhës 2018-2020, i hartuar muajin e shkuar.

Defekte në kontrollin e brendshëm të financave publike

Defekte të mëdha janë evidentuar në kontrollin e brendshëm të financave në sektorin publik të Kosovës. Një raport i aprovuar fundjavën e shkuar në qeveri ka evidentuar shumë lëshime.
Në shumë organizata buxhetore është shtruar nevoja për përmirësim në procesin e planifikimit dhe ekzekutimit të buxhetit dhe është bërë thirrje për rritjen e efikasitetit të proceseve që lidhen me prokurimin publik.
Veç kësaj, edhe për rekrutimin e stafit të nevojshëm për auditim të brendshëm, pastaj për mirëmbajtjen e regjistrit të pasurisë, edhe për raportimin dhe arkëtimin e të hyrave. Dhe si nevojë në vete është shtruar avancimi i proceseve që lidhen me teknologjinë informative.
“Procesi i menaxhimit të rrezikut, përshkrimi i procesit dhe vendosjes së disa kontrolleve në disa organizata buxhetore për fushat me rrezik të lartë ende vazhdon të mbetet sfidë kryesore për menaxhmentin”, thuhet në raport. “Disa SSP (Subjekte të sektorit publik v.j.) ende nuk kanë identifikuar, analizuar, vlerësuar dhe përgatitur regjistrin e rrezikut” .