Griezmann: Të ardhmen time e vendos presidenti i Atleticos

Antoine Griezmann e lë të hapur mundësinë e largimit nga Atletico e Madridit gjatë merkatos së verës. Sulmuesi francez, i cili është grumbulluar me kombëtaren për transfertën shumë të rëndësishme me Suedinë në Grupin A të kualifikueseve të Botërorit, e pranoi se përfaqësuesi i tij ligjor po komunikon me drejtuesit e Los Colchoneros për të vendosur se ku do të luajë në të ardhmen.
“Ndihem mirë tek Atletico e Madridit. Menaxheri im po flet me drejtuesit e klubit, të shohim se çfarë do të ndodhë. Këtë verë do të vendoset nëse do të qëndroj, para Kupës së Botës do të mësohet e ardhmja ime. Por siç e thashë edhe më parë, jam shumë mirë tek Atletico. Është në dorën e presidentit, varet se cili do të jetë vendimi i tij”, u shpreh Griezmman.
24-vjeçari luan që nga viti 2009 në Primera Division, ku fillimisht është aktivizuar me Real Sociedadin para se të kalonte tek Atletico. Edhe pse nuk është provuar në liga të tjera europiane francezi mendon se kampionati spanjoll është më i forti në botë.
“Për mendimim tim La Liga është kampionati më i fortë në botë, sepse luaj prej shumë kohësh në Spanjë. Edhe skuadra e fundtabelës mund të të marrë pikë kur luan në shtëpinë e saj. Më pëlqen Bundesliga ku shënohen gola nga 40 metra dhe ndeshjet përfundojnë me shumë gola. Në Premier League konkurrojnë shumë skuadra për zonën Champions, ndonëse janë të paktën gjashtë ekipe që kanë cilësi dhe e meritojnë të jenë në katërshen e parë”, tha ai.
Interesin më të madh për Griezmann e ka shfaqur Jose Mourinho, me portugezin që po bën gjithçka për ta transferuar në “Old Trafford”.