Blerja e votës dënohet me burg!

Nga Jorida TABAKU

Ndoqa me shumë interes mesazhin që deputeti i PS në Njësinë 8 Ervin Bushati i kish nisur të rinjve. Vota blihet në mënyra të ndryshme, blihet me influencë, me para, blihet me çdo lloj monedhe lekë edhe euro. Në fund të ditës pak rëndësi ka mënyra duke qenë se ajo është e dënueshme, madje në ndryshimet e Kodit Penal që ne miratuam bashkërisht pak ditë më parë kjo vepër penale dënohet me 1-7 vjet burg. Unë e kuptoj që PS nuk ka bilanc dhe tani është duke shitur plane e strategji, e kuptoj që janë në hall të madh sidomos në Njësinë nr. 8 ku bashkia e mëparshme e Tiranës kish investuar në të paktën 25 arterie rrugore, në ujësjellës-kanalizime, në rritjen e kapacitetit energjetik, në rikonstruksion shkollash e çerdhesh dhe sot banorët gëzohen po panë dikë që vjen e bën sikur do të bëjë ndonjë punë të vogël. Unë kam shëtitur çdo cep të Njësisë 8, kam parë çdo rrugë e rrugicë, di çdo shqetësim të atyre banorëve tashmë të harruar, por e di me siguri që nuk ka konkurs me 500 euro apo çfarëdo pazari që mund të ofrojnë ato që nuk dinë të fitojnë, por ta blejnë fitoren, që të blejë shpirtin e tyre demokrat. Ende nuk është harruar pengesa për të ndërtuar kësaj zone që më 2013 u shpall gjoja zonë historike, për të penguar qytetarët të ndërtojnë megjithëse plani ishte për të ndërtuar. E pastaj, kur vetë hipën në karrige vendosën të heqin atë barrë që vetë ua kishin vendosur qytetarëve, po të njëjtët persona që katër vjet më parë mbronin këtë vendim, të cilin sot Partia Socialiste me deputetin Bushati po e shesin si diçka të madhe. Pikërisht ato që i hoqën nga puna, i lanë pa investime, e tani kujtojnë se mund të gënjejnë qytetarët më të vjetër të Tiranës duke i blerë me konkurse false.