Vrasja në Vlorë, makina që u përdor në vrasje ishte vjedhur në Durrës

Një ditë pas atentatit të ndodhur në Sheshin e “Flamurit” në Vlorë, ku mbeti i vrarë drejtori i OSHEE-së, Roland Saliu dhe pronari i televizionit “Vlora Channel”, Mervjen Hyseni, hetuesit kanë zbuluar fakte të reja. Nga verifikimet e policisë, rezulton se makina që përdorën vrasësit ishte vjedhur në Durrës disa ditë më parë. Mjeti u gjet i djegur në një fshat të Vlorës, në Panaja, pak minuta pas vrasjes. Brenda në makinë, policia gjeti edhe kallashnikovin që përdorën vrasësit.
Hetuesit kanë konfirmuar se objektiv i atentatit ishte biznesmeni Hyseni. Një dyshim i tillë është ngritur pas verifikimeve të kryera nga policia lidhur me profilet e dy viktimave. Hetuesit thonë se, dyshohet se vrasja mund të ketë lidhje me aktivitetet e Hysenit, jashtë dhe brenda vendit.
Këtë të enjte, ekspertët kryen një këqyrje të dytë të vendit, ku u gjet duke u djegur automjeti i përdorur nga atentatorët. Ata mendohet se kanë qenë së paku dy persona. Ekspertët janë përpjekur të gjejnë aty sa më shumë prova për zbardhjen e krimit. Mësohet se kjo makinë ishte vjedhur në javët e para të majit në qytetin e Durrësit, ndërsa i janë vënë targa të tjera, gjithashtu të vjedhura.
Ekspertët dhe mjekët ligjorë konfirmuan se drejtori i OSHEE-së ndërroi jetë nga një plumb i vetëm që ka marrë në kokë. Ndërsa biznesmeni Hyseni mori 5 plumba në gjoks. Policia ka shoqëruar për të marrë në pyetje më tepër se 20 persona. Po ashtu, hetuesit kanë sekuestruar pamjet filmike të 48 orëve të fundit, nga kamerat e disa bizneseve të zonës në përpjekje për identifikimin e autorëve.

Si i shpëtoi plumbave vajza e njërit prej viktimave

Atentati mund të ishte kthyer në një vrasje të trefishtë. Një vajzë e vogël që po luante aty pranë me biçikletë i ka shpëtuar për mrekulli plumbave të atentatorëve. Mësohet se vogëlushja është vajza e të ndjerit Hysenaj dhe ishte duke luajtur para ambjenteve të lokalit ku ishte i ati. Siç shihet edhe në fotot e para që kanë mbërritur nga vendi i ngjarjes, biçikleta ka mbetur aty, si dhe një palë shapka, që thuhet se janë të fëmijës që ndodhej rastësisht në momentin dhe vendin e gabuar.
Gjatë atentatit u rrezikuan edhe persona të tjerë që ndodheshin në vendngjarje, mes të cilëve edhe vajza e mitur e Hysenit, e cila pak çaste para breshërisë kishte qenë në ambientet e jashtme.
Policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë për të hedhur dritë mbi lëvizjet e autorëve dhe identifikimin e tyre. Ende nuk ka zyrtarisht një pistë të qartë se ku janë përqendruar hetimet. Bëhet e ditur se autorët pas krimit kanë kaluar nga rruga “Muze” për të dalë më tej drejt qytetit dhe më pas kanë dalë në autostradë, ku aty kanë djegur edhe automjetin.