Vonesat në zbatimin e vendimit të gjykatave penalizojnë rëndë arkën e shtetit

Vonesat në zbatimin e vendimeve të gjykatave, sidomos për të larguarit nga puna në administratën publike, janë duke krijuar kosto shtesë në arkën e shtetit. Pamundësitë për të përballuar zhdëmtimin sipas vendimeve që kanë lëshuar gjykatat kanë bërë që për shumë prej tyre të aplikohen gjoba dhe kamatëvonesa. Kontrolli i Lartë i Shtetit, gjatë një procesi auditi, ka gjetur se Ministria e Transportit për shkaqe të ndryshme, nuk ka zbatuar në kohë vendimet e gjykatave të formës së prerë. Për vonesat e ndodhura janë llogaritur/indeksuar interesat ditore nga shpallja e vendimit e deri në ekzekutimin e tij në shumën 5,742,816 lekë në 4 raste, nga i cili 3,877,320 lekë për vitin 2014, për vitin 2015 shuma 1,801,156 lekë dhe për vitin 2016 shuma 210,645 lekë, të cilat përbëjnë shpenzime të parikthyeshme për institucionin. KLSH kërkon nga Drejtoria Ekonomike të pasqyrojë të gjitha vendimet e gjykatave të formës së prerë, për të cilat është vënë në dijeni, në mbyllje të pasqyrave financiare vjetore me qëllim jo vetëm paraqitjen e saktë, por dhe për planifikimin real të shlyerjes së tyre. Për këtë qëllim të krijohet/shfrytëzohet baza e të dhënave e të gjitha vendimeve të gjykatave të formës së prerë. Drejtoria Juridike, me marrjen dijeni të vendimeve të gjykatave të indeksuara me interesa ditore deri në ekzekutimin e tyre të kërkojë shlyerjen me përparësi të këtyre detyrimeve nga ana e Drejtorisë Ekonomike si një mënyrë për shmangien e akumulimit në vite të interesave që përbëjnë dëm ekonomik për buxhetin e shtetit. Rrotacionet politike, ndër vite kanë shoqëruar edhe me largime masive nga puna në administratë. Të larguarit më vonë i drejtuar gjykatave duke fituar dëmshpërblim në shumicën e rasteve. Për vetëm për vitin 2015, kur ishte edhe fluksi më i madh i vendimeve për larguarit nga puna pas rotacionit në shtator të 2013, ishte rreth 3.5 miliardë lekë.