Denoncime në Korçë dhe Delvinë për blerje votash

Të majtët e kanë të vështirë të ndahen nga shitblerja e votës. Të paktën dy raste janë denoncuar dje, në Delvinë e në Korçë për përpjekje të dëshpëruara të strukturave të PS apo dhe partive të tjera të majta për të blerë votat duke tjetërsuar vullnetin e qytetarëve. Deputetja demokrate, Eleina Qirici ka denoncuar dje përpjekjet e strukturave politike në blerjen e votave. Përmes një statusi në Facebook, Qirici u ka bërë thirrje banorëve të Qarkut të Korçës të mos negociojnë me votën kundrejt shumave monetare qesharake. Ajo thekson se vota nuk shitet e as nuk do të blihet. Qirici i referohet denoncimit të një qytetari nga Korça, i cili tregon se në zonat e Korçës po ofrohen para apo mjetet materiale në këmbim të votës.
“Një banor i Qarkut Korçë më informon për tentativë nga një strukturë politike për blerje vote, në disa zona rurale të qarkut.
U bëj thirrje banorëve të Qarkut Korçë që të mos negociojnë me votën, kundrejt një shume monetare qesharake. Vota nuk shitet, as nuk do të lejojmë të blihet. Vota është dhe duhet të konsiderohet e shenjtë, shprehje e vullnetit politik të gjithkujt, për forcën politike që bind gjithsecilin se ofron strategjinë më të mirë për zhvillim social-ekonomik të vendit. Do të jemi më të bashkuar se kurrë në betejë të hapur kundër fenomenit të shitblerjes së votës. Duhet të bëhemi të gjithë bashkë, pa dallim!
U bëj thirrje forcave politike të kontribuojmë së bashku për zgjedhje të lira dhe të ndershme, pa nëpërkëmbur dinjitetin e votuesve dhe pa shfrytëzuar në mënyrë të turpshme varfërinë e një pjese të tyre”, thekson Qirici në postimin e saj.
Kujtojmë se pak ditë më parë Parlamenti votoi ligjin që ashpërson masat për shitjen e votës, një pikë kjo e marrëveshjes Rama-Basha. Ashpërsimi i masave parashikon heqjen e gjobës, si në rastin e mëparshëm dhe zëvendësimin e saj me heqje lirie në rast të kryerjes së kësaj vepre penale. Reforma Zgjedhore është një nga çështjet më të rëndësishme të marrëveshjes politike PS-PD të 18 majit. Amendimi i Kodit Penal lidhet me kundravajtjet elektorale, që do të konsiderohen “krime zgjedhore” ndaj dhe parashikohet një ashpërsim të masave për rastet e shitblerjes së votës. Shitblerja e votës do të dënohet në mënyrë taksative nga 1 deri në 7 vite burg. Nuk do të ketë masa ndëshkimore si gjoba, por vetëm burg për ata që do të tentojnë tjetërsimin e vullnetit të lirë të votuesve shqiptarë. Kjo vepër penale do të jetë e paamnistueshme. Do të dënohet nga 1 deri në 7 vite burg marrësi dhe dhënësi i kartave të identitetit. Shpërdorimi i autoritetit policor për të influencuar në mbështetjen e një partie politike do të jetë vepër penale dhe të dënohet deri në 5 vjet burgim. Përdorimi i mjeteve publike, veprimtarisë shtetërore apo i burimeve financiare ose njerëzore, për zgjedhje, do të dënohet vetëm me burgim, nga 1 deri në 4 vjet. Ashpërsim të dënimeve për të gjitha veprat e tjera penale në fushën e zgjedhjeve, duke i parashikuar të gjitha si krime.

PS nis shpërndarjen e thasëve me miell në Delvinë

“Shqipëria që duam” e ka nisur fushatën e saj të blerjes së votave, këtë herë jo me para kanabisi, por me thasë mielli.
Lexuesit e “SYRI.net” kanë raportuar se gjatë ditës së djeshme, furgonë me logon e PS-së dhe sloganin e tyre “Shqipëria që duam”, kanë nisur që të shpërndajnë miell. Fotoja që shikoni është bërë mesditën e djeshme në Delvinë dhe është sjellë ekskluzivisht në redaksinë e “SYRI.net”. Por sa po blihet vota duke përdorur thasë mielli? Siç kanë treguar qytetarët, jepet një thes mielli në këmbim të 4 votave. Kështu i bie që një familje mesatare shqiptare të blihet me një thes mielli me qëllim që të japë votën për PS-në, që kjo e fundit të bëjë “Shqipërinë që duam” ose që duan ata.