Roma zgjedh Di Francescon për stolin

Roma ka zgjedhur pikërisht atë. Do të jetë Eusebio di Francesco, pasuesi i Luciano Spallettit në stolin e skuadrës verdhekuqe. Me Spalletin që ka marrë rrugën drejt Interit, drejtori sportiv i Romës Monchi ka vendosur për t’i besuar stolin Di Francescos, i cili pas 5 sezonesh do të lërë Sassuolon, për t’u rikthyer te skuadra ku u bë i famshëm si futbollist. Drejtuesve të Romës u pëlqen filozofia e lojës së 47-vjeçarit nga Pescara me Di Francescon që skemë të preferuar ka 4-3-3, një skemë sulmuese dhe shumë e ekuilibruar, por mbi të gjitha drejtori sportiv Monchi vlerëson më tepër karakterin e trajnerit aktual të Sassuolos.
Në ditët e ardhshme Di Francesco do të zhvillojë një takim me presidentin e klubit nga Reggio Emilia Squinzi në mënyrë që ky i fundit ta lërë të lirë nga çdo detyrim kontraktual, për të bërë të mundur kalimin e tij te Roma. Roma nuk mendon vetëm për pankinën, por edhe për merkaton. Për t’i shpëtuar ndëshkimeve të fair play-it financiar do të sakrifikohet një prej dy mbrojtësve, greku Manolas ose gjermani Rudiger. Për prapavijën ndërkohë pëlqehet Lindelof i Benficës. Përsa i përket sulmit me Edin Dzekon të konfirmuar tashmë edhe për sezonin e ardhshëm do të sakrifikohet Diego Perrotti, ndërsa mund të afrohet një mes Papu Gomez dhe Defrel.