Republika e re ndez motorët e fitores të shtunën, 27 maj

Partia Demokratike do të mbajë të shtunën në orën 19 mitingun e hapjes së fushatës. Këtë e ka lajmëruar përmes një postimi në faqen e tij zyrtare në Facebook lideri i opozitës, Lulzim Basha. “27 maj, ora 19 nisim rrugën drejt fitores”, shkruan ai, të cilin e shoqëron dhe me një videomesazh, ku shfaqen pamje nga dy mitingjet e PD-së, ai i 18 shkurtit dhe ai i 13 majit. “Republika e vjetër është tronditur, Rama ka frikë ne jo, me çadrën e lirisë shqiptarët arritën fitoren e parë, bashkohuni me Lulzim Bashën në rrugën drejt fitores vendimtare”, thuhet në videomesazhin që Basha ka publikuar në faqen e tij Facebook.

Sërish në bulevard

Demokratët dhe gjithë të tjerët do të mblidhen në të njëjtin vend, ku për 90 ditë zhvilluan betejën stoike për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Më 27 maj, mbushen gati 100 ditë që kur kjo betejë filloi dhe të gjithë ata që bënë luftën e dinë se s’ka mbaruar ende. Fitorja e parë ishte ajo e 18 majit, kur u nënshkrua marrëveshja, e cila garanton se asnjë votë s’do të shitet, asnjë votë s’do të preket. Nesër në sheshin ku ata zhvilluan dy mitingje nga më të mëdhatë në historinë e këtij vendi, do të mblidhen sërish opozitarët dhe të gjithë ata që duan një Shqipëri ndryshe, një Shqipëri pa drogë, pa korrupsion, me drejtësi e me arsim. Në atë vend Partia Demokratike dhe aleatët do të shfaqin vizionin e saj përpara tyre dhe të nesërmen ky mesazh e ky program do të shkojë derë me derë e shtëpi më shtëpi. Nesër fillojnë 30 ditë të tjera angazhim e luftë për t’i thënë shqiptarëve se Republika e re do të jetë sistemi i barazisë dhe i të ardhmes, ku njerëzit nuk futen burgjeve sepse janë të varfër, nuk ikin nga vendi i tyre se s’kanë më shpresë, studentët nuk rrinë jashtë dyerve të auditorëve se s’janë pjesë e FRESSH të Ramës.

Prezantimi

Mitingu i paraprin dhe daljes së listës së kandidatëve për Parlamentin e ri. Zyrtarisht sot ka filluar fushata elektorale për zgjedhjet e 25 qershorit dhe natyrisht të qenit në atë listë është një përgjegjësi më vete. Në 30 ditët e ardhshme ata do të bëhen një me qytetarin, ndërsa vetë Basha do të jetë qytet më qytet e fshat më fshat për të kërkuar votën e qytetarëve, besimin e tyre. Rrugëtimi 30 ditor i fushatës, pritet të jetë i vështirë, por Partia Demokratike dhe aleatët e saj janë të vendosur për t’i fituar këto zgjedhje. Beteja 90 ditore, e udhëhequr nga kryedemokrati Basha ka dhënë rezultatet e para dhe objektivi për ta dërguar Ramën andej nga erdhi është më afër se kurrë. Demokratët dhe gjithë të tjerët që janë revoltuar dhe neveritur me këtë qeveri duhet të bashkohen rreth Lulzim Bashës. Dita është afër, nga 25 qershori nuk na ndajnë shumë. Gongu ka rënë dhe numërimi mbrapsht për republikën e narkotrafikut ka filluar. Sot ajo është në buzë të greminës, kërkon vetëm një të shtyrë që populli do ja japë më 25 qershor. Prandaj duhet të jemi të gjithë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” rreth Lulzim Bashës dhe opozitës të shtunën në orën 19.00, për betejën finale ndaj të keqes që na zuri derën këtu e katër vjet më parë.

Premtimi i Bashës, ditën e parë të punës do anulojë ligjin për arsimin e lartë

Gjatë fjalimeve të tij, në çadrën e protestës Basha ka premtuar se në ditën e tij të parë të punës do të anulojë ligjin për arsimin e lartë, i cili për mënyrën si është bërë lë padrejtësisht jashtë auditorëve me mijëra studentë. Gjithashtu, Basha ka premtuar dhe ulje të tarifave dhe 10 mijë të rinj do të paguhen me rrogë për një vit për stazhin pas përfundimit të shkollës. “Politikat e kabinetit të tij në momentin e parë të marrjes së pushtetit, do të sigurohen për mbrojtjen e interesit të të rinjve dhe xhepave të familjeve të tyre e jo oligarkëve shqiptarë. Kur ju, kur qytetarët të keni vendosur me zgjedhje të lira dhe të ndershme, qeveria e dalë nga vota juaj dhe kryeministri që ju do të zgjidhni do të konkretizohet me një akt. Këtu, në këtë shesh, orën e parë të betimit të kabinetit të Republikës së re, do të firmoset anulimi i Ligjit për Arsimin e Lartë. Arsimi i lartë publik do të jetë me tarifa të përballueshme nga çdo i ri dhe e re shqiptare. 10 mijë të rinj do të paguhen nga Republika e re çdo vit me stazhe 1-vjeçare për të ndërtuar urën mes bankave të universitetit dhe tregut të punës”, është shprehur lideri i opozitës.

Ulja e çmimit të energjisë për konsumatorin dhe taksave për biznesin

Partia Demokratike në këtë fushatë elektorale do të hyjë me një program politik të asistuar nga CDU gjermane, e cila në thelb të saj ka rritjen ekonomike, punësimin, përmirësimin e shërbimeve, uljen e taksave, TVSH-së për energjinë, përkrahjen e shtresave të pambrojtura etj. Për shembull, Basha përgjatë gjithë kohës ka premtuar uljen e taksës së sheshtë për bizneset në masën 9 për qind. Po t’i referohemi qeverisë Berisha, kjo taksë ka qenë 10% dhe ka funksionuar më së miri, duke bërë që të ardhurat në buxhetin e shtetit të shënojnë rritje. Futja e taksës progresive nga ana e socialistëve, ka sjellë një masë të lartë informaliteti dhe të ardhura të parealizuara nga viti në vit. Një premtim tjetër i Bashës ka qenë dhe ulja e çmimit të energjisë për qytetarët. Kjo, sipas asaj çka ka deklaruar lideri demokrat, bëhet duke rikthyer fashën mbrojtëse për qytetarët dhe duke ulur TVSH në masën 15 për qind. Kjo mënyrë do të lehtësonte mjaft familjet shqiptare dhe sidomos ato në nevojë. Të mos harrojmë se me ardhjen në pushtet të Ramës, nga gjërat e para që bëri ishte heqja e fashës mbrojtëse dhe ngritja e energjisë në çmimin e 9.5 lekë kilovat orë. Kjo solli rëndim të xhepave të qytetarëve po asnjë impakt në cilësinë e shërbimit me këtë mall tek konsumatori.

Rezistenca e opozitës dhe garancia që kërkoi për zgjedhje të lira dhe të ndershme

Futja e Partisë Demokratike në zgjedhje do të kalonte nëpërmjet një rezistence 90 ditore në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Fillimisht u mbajt një miting proteste nga më të mëdhatë që ishin parë ndonjëherë dhe më pas u fillua një rezistencë paqësore që kishte si synim garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Fillimisht, Rama do të angazhonte të gjithë kakofoninë mediatike që ai përdor për ta zhvlerësuar aksionin opozitar, madje u angazhua dhe vetë personalisht. Megjithatë, lideri demokrat Basha nuk u dorëzua. Dekreti i Presidentit kish përcaktuar datën 18 qershor, si datë zgjedhjesh dhe vetë Basha do të përsëriste disa herë se zgjedhje pa opozitën nuk do të kishte. Rama nuk do të pranonte të ulej në dialog për zgjidhjen e krizës, duke aluduar se opozita po e përdor protestën për të bllokuar komisionet e vettingut, çka nuk rezultoi e vërtetë. Kreu i PD Basha, përgjatë gjithë kohës do të mbante fjalën dy herë në ditë në çadër, ndërkohë që vëmendja mediatike ishte jo e vogël, megjithë përpjekjet e Ramës për ta bllokuar. Afatet po kalonin dhe ende nuk ishte një zgjidhje, ndërsa presioni po shtohej për të dyja palët. Paratë e drogës kishin lobuar fuqishëm dhe me ndërkombëtarët, por Basha kish vendosur të mos tërhiqej përpara çdo presioni. Kjo vazhdoi deri më 25 prill, kur në Shqipëri mbërriti misioni evropian i kryesuar nga dy gjermanë, David McAllister i CDU-së dhe Knut Flankeshtajn i Socialdemokratëve. Në tryezë u la një plan me pesë pika që u quajt paketa McAllister, por Basha nuk e pranoi. Sipas asaj çka pranoi më pas, Rama kish propozuar që ministrat mos ishin teknikë, por të zgjedhur nga ai dhe të pranuar nga opozita. Një zgjidhje gjysmake. Prova e forcës do të ishte 7 maji dhe zgjedhjet e Kavajës. Sërish Basha pati deklaruar se zgjedhje në Kavajë nuk do të ketë, ndërkohë që ekranet mbusheshin me revanshin e kryeministrit, i cili përsëriste pareshtur se do i zhvillonte zgjedhjet i vetëm atje. Gjendja dukej sikur po shkonte drejt agravimit, ndërkohë që opozita kish thirrur një protestë masive më 7 maj, pikërisht ditën e zgjedhjeve ku garonte vetëm kandidati i mazhorancës për të mos lejuar zhvillimin e zgjedhjeve farsë. Kryeministri do të tërhiqej një ditë më parë nga ky vendim, ndërsa opozita do e zhvendoste protestën e saj më 13 maj. Çadra vazhdonte të përcillte mesazhe, ndërsa më 9 maj, Presidenti i Republikës tenton thirrjen e një tryeze, por pa rezultat. Katër ditë më vonë, populli do të mbushte bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në një protestë tjetër paqësore, të ngjashme me ato të kohës kur u rrëzua diktatura. Ndërkohë ishte lajmëruar dhe ardhja në Tiranë e zëvendësndihmëssekretarit të Shtetit, Hoyt Brian Yee, që do i shtonte paketës McAllister dhe 16 pika të tjera, që shtonin garancitë në zgjedhje. Fillimisht Rama dukej sikur e refuzoi këtë paketë, por mesa duket mesazhi këtë herë ishte i qartë. Të nesërmen, Basha do të deklaronte se ishte dakord me paketën MCallister plus, ndërsa më datë 17 maj do të thirrej një tryezë nga PAA dhe PR. Fillimisht, Rama refuzoi, por më pas u shfaq në dyert e Kryesisë së Kuvendit. Pas një takimi kokë më kokë prej tre orësh me Bashën, rreth orës 1:15 të mbrëmjes u arrit që të bihej dakord në parim për marrëveshjen, e cila do të finalizohej më datë 18 maj, pas plot 90 ditë qëndrese në bulevard.