Pranga drejtorit të Shkollës së Mesme

Drejtori i Shkollës së Mesme të Përgjithshme “Bab Dud Karnuara” në Berat, Yzedin Hajdaraj, 59 vjeç, u arrestua pas denoncimit se ka ngacmuar seksualisht dy nxënëse të klasës së 11-të.
Dy nxënëset, në prani të psikologes denoncuan drejtorin e shkollës, pasi kishte kryer veprime të turpshme sipas tyre. Fillimisht denoncimi është kryer në Drejtorinë Arsimore Rajonale dhe më pas denoncimi është përcjellë në Drejtorinë e Policisë së Beratit.
Ato i thanë policisë se ndodheshin në zyrën e drejtorit të shkollës, për një provim të prapambetur në lëndën e Gjeografisë. Një situatë e ngjashme dyshohet se ka ndodhur edhe më parë me një prej vajzave denoncuese.
Pas denoncimit të nxënëseve, drejtori i shkollës u ndalua me akuzat e ngacmimit seksual dhe shpërdorimit të detyrës. Nga ana tjetër, ndaj tij Drejtoria Arsimore e Beratit mori masën e pezullimit të tij nga detyra në pritje të shkarkimit nga Ministria.