Polici dhunon gazetaren: “T’i këpus të dyja duart”

Një tjetër rast dhune është shënuar nga ana e uniformave të policisë. Polici, i cili ruan Institutin e Fizikës Bërthamore dhunon fizikisht grupin e xhirimit të emisionit “STOP”, ndërsa gazetarja dhe operatori ishin në detyrë. Edhe pse iu kërkua korrektesë në sjellje, polici fyen, dhunon dhe kërcënon përfaqësuesit e medias.
Gazetarja e emisionit “STOP” shprehet se i është drejtuar Institutit të Fizikës Bërthamore për të lënë një takim me Drejtorin e këtij institucioni, por u ndesh me dhunën verbale dhe fizike të policit që ruan këtë objekt.
Gazetarja – Mund të ma thuash pak me ton më normal?
Polici – Dil atje përjashta! Zbato urdhrin tim! A do të dalësh përjashta, me të mirë apo …?
Gazetarja – Më fal, kush jeni? Me kë po komunikoj?
Polici – Me punonjësin e Policisë së Shtetit. Ai që ruan këtëëëëëë…
Gazetarja – A mund të pyesësh pak si njeri se për çfarë kam ardhur?
Polici – Dil atje përjashta, të jap urdhër brenda rregullit, jo me hy me forcë.
Gazetarja – Brenda kujt rregulli?
Polici – Dil aty!
Gazetarja – Ma trego pak rregulloren, të lutem!
Polici – Do dalësh përjashta…
Gazetarja njofton policinë dhe përballet me policin që e dhunoi.
Polici – Në institucion… t’i këpus të dy duart…
Gazetarja – Nuk ke asnjë lloj të drejte… Ku e kishe kapelen?
Polici – Leje moj kapelen, s’mbaj kapele në institucion unë.
Gazetarja – Çfarë do më bësh ti mua? Do më këpusësh duart? Është kërcënim ky?
Polici – Po hyre atje po, është institucion shteti.
Gazetarja – Kush je ti që më vë mua dorë?
Polici – Do të hedh në gjyq ty dhe ata që janë më të fortë.
Gazetarja – Të hedh unë më parë në gjyq.
Gazetarja e emisionit “STOP” rrëfen se polici dukej në gjendje të dehur, pasi i vinte era alkool.