Peza, i pandehur për fshehje pasurie dhe pastrim parash

Deputeti i Partisë Socialiste, Alfred Peza, merret i pandehur nga Prokuroria për akuzën e fshehjes së të ardhurave dhe pastrimit të parave. Ishte prokurorja Rovena Gashi, ajo që i ka komunikuar vendimin e marrjes së të pandehur dhe dërgimin e dosjes në ngarkim të tij pranë Gjykatës së Lartë, ku edhe do të gjykohet deputeti. Ndërkohë nga procedimi penal është përjashtuar bashkëshortja e deputetit, e cila fillimisht u dyshua si bashkëpunëtore.
Para hetuesve, mësohet se Peza nuk e ka pranuar akuzën, duke pretenduar se është i pafajshëm. Ndërsa në dalje të institucionit të akuzës, foli vetëm avokati mbrojtës, i cili pretendoi se akuzat nuk qëndrojnë dhe do të dal fitimtar gjatë procesit gjyqësor.
Vetë Peza nuk pranoi të flasë për mediat, kur doli nga dyert e Prokurorisë, ndërsa avokati ishte entuziast se mund ta fitojë lehtë këtë çështje. “Çdo avokat do ta dëshironte këtë çështje se pse është garant i fituar”, tha ai. Sipas Vishës, Prokuroria e ka ndërtuar keq këtë dosje, nuk ka fakte, tha ai, kundër Pezës”.
Sipas Prokurorisë, është kryer akt-ekspertimi kontabël i të ardhurave të deputetit Peza dhe bashkëshortes ndër vite. Nga verifikimi i tyre, thuhet nga Prokuroria, nuk rakordohen të ardhurat e deklaruara zyrtarisht me paratë që kishte në gjendje deputeti Peza. Në akt-ekspertimin kontabël, ku edhe është bazuar ngritja e akuzave, ndër të tjera thuhet se deputeti nuk justifikon rreth 800 mln lekë, të cilat i disponon në formën e aksioneve të blera në një bankë të nivelit të dytë në vend.
Hetimi për këtë çështje e ka nis me inciativë të saj Prokuroria, pas publikimit në media të disa të dhënave, që deputeti kishte blerë me rreth 1.1 mlrd lekë aksione në një bankë të nivelit të dytë.
Nga ana tjetër, kërkesën e Prokurorisë për sekuestrimin e aksioneve të deputeti Peza dhe bashkëshortes së tij, Gjykata e Lartë e ka rrëzuar, duke e cilësuar si të paargumentuar ligjërisht.
Alfred Peza do të hetohet në gjendje të lirë. Ai akuzohet se nuk i ka të justifikuara paratë që i kapitalizuar në një bankë të nivelit të dytë. Pasuria prej 1.3 miliardë lekësh e investuar si aksione në bankë është për momentin nën sekuestro nga Prokuroria deri në përfundim të hetimeve dhe gjykimit ndaj tij.