Një portret i autorit të sulmit në Mançester

Sulmi terrorist në Mançester ishte më i rëndi në Britani në më shumë se një dekadë dhe xhihadisti që e kreu atë vrau e plagosi njerëz me të cilët ai ishte rritur – duke e bërë edhe më të tmerrshme mizorinë për banorët.
Ndërsa qeveria britanike ngriti nivelin e kërcënimit terrorist në “kritik”, zyrtarët filluan të japin më shumë hollësi për autorin e sulmit, 22-vjeçarin Salman Abedi, për atësinë e tij libiane dhe lidhjet e dyshuara me një rrjet të njohur rekrutuesish për ISIS-in dhe grupe të tjera xhihadistësh.
Sipas anëtarëve të familjes, Salman Abedi sapo ishte kthyer nga një udhëtim trejavor në Libi. Burimet e policisë britanike thonë se udhëtimi ngre mundësinë që ai të ketë takuar anëtarët e degës së grupit terrorist në këtë vend të Afrikës së Veriut dhe të jetë stërvitur për sulmin me bombë që do të kryente.
Por figura e këtij vrasësi masiv, i cili paketoi pajisjen eksplozive duke e mbushur me gozhdë e bullona për të vrarë sa shumë njerëz, shfaqet komplekse.
Disa fqinjë e përshkruajnë Abedin si tifoz të futbollit të Manchester United dhe entuziast të lojërave kompjuterike. Ata thonë se tek ai nuk dukeshin shenja radikalizimi, edhe pse e kishte lënë shkollën. Shërbimet britanike të sigurisë pranojnë se Abedi ishte i njohur për ta – ka disa raporte që shërbimi i zbulimit mund të ketë tentuar ta bindë Abedin të veprojë si informator – por ata nuk e shihnin atë si shumë të rrezikshëm.
Të tjerë, megjithatë, e përshkruajnë Abedin si një djalë të ri plot zemërim, i cili denoncoi një udhëheqës të xhamisë lokale për kritikat ndaj ISIS-it. Ata thonë se ai filloi të lutet hapur në rrugë.
Imami Mohammed Saeed, u tha gazetarëve se Abedi e ndërpreu ardhjen në xhaminë e tij në vitin 2015, pasi ata patën një grindje mbi ISIS-in. “Salmani vinte në xhami herë pas here, veçanërisht ndaj meje nuk ishte miqësor, sepse nuk i pëlqenin predikimet e mia kundër grupit Shteti Islamik (ISIS). Ai nuk i pëlqente fjalët e mia dhe më tregoi fytyrën e urrejtjes. Pas kësaj, filloi të vinte në xhami gjithnjë e më pak”, thotë imami.
Abedi ka lindur në Mançester në vitin 1994, i treti nga katër fëmijë, tre djem dhe një vajzë. Prindërit e tij ishin emigrantë libianë që u vendosën në këtë qytet verior të Anglisë pasi kishin ikur nga regjimi i Moammar Gadafit në vitin 1980.
Babai i tij, Ramadan Abedi, një ish-roje sigurie në Aeroportin e Mançesterit, u kthye në Libi në vitin 2011 për t’u bashkuar me kryengritjen kundër diktatorit libian. Që nga përmbysja e Gadafit, prindërit e tij kanë kaluar më shumë kohë në Libi sesa në shtëpinë e tyre në Mançesterin e Jugut, më pak se 3 kilometra nga skena e sulmit me bombë të hënën.
Emigrantët libianë në Mançester thonë se babai i Salmanit ishte shumë kundërshtues ndaj ideologjinë xhihadiste. Ai thoshte se ajo që bën ISIS-i nuk është xhihad, por krim.
Sipas gazetës “Daily Mirror”, Abedi ishte mik i familjes së Raphael Hostey, i njohur edhe si Abu Qaqa al-Britani, i cili ndihmoi në rekrutimin e britanikëve të tjerë të rinj për Shtetin Islamik nëpërmjet mediave sociale derisa u vra në një sulm të telekomanduar në Siri vitin e kaluar. Burimet e policisë britanike thonë se lidhjet e tij me Hosteyn po shqyrtohen nga zyrtarët e antiterrorizmit që dyshojnë se Abedi mund të ketë qenë pjesë e një celule terrori, dyshim i shtuar nga një udhëtim që ai bëri në Libi në prag të sulmit të së hënës.
Policia gjithashtu mbetet skeptike që Abedi të mund ta kishte ndërtuar bombën vetëm, për shkak të sofistikimit të saj.
Abedi ndoqi shkollat lokale në Mançester dhe pastaj vazhdoi studimet e biznesit dhe menaxhimit në Universitetin Salford aty pranë. Në një deklaratë, një zëdhënës i universitetit e përshkroi atë si “krejtësisht jashtë kontrollit”. Abedi vazhdoi studimet për dy vjet dhe pastaj i ndërpreu.
Vitin e kaluar Abedi dhe vëllai i tij më i madh, 23-vjeçari Ismail, ishin aktivë në faqet e mediave sociale, duke vlerësuar xhihadistët. Policia arrestoi Ismailin të hënën natën pas shpërthimit. Ai jepte mësime në arabisht në xhaminë e Didsburyt dhe sipas vendësve, u raportua në polici pas shqetësimeve për atë që ai u mësonte nxënësve.
Policia po shqyrton gjithashtu lidhjet midis vëllezërve Abedi dhe një tjetër britaniko-libiani nga Mançester, Abdalraouf Abdallah, i cili u dënua me 9 vjet burgim nën akuza për financimin dhe përgatitjen e akteve terroriste.
Disa analistë argumentojnë se për Abedin ka pasur shumë shenja paralajmëruese. Në një studim të kohëve të fundit rreth xhihadistëve të rinj britanikë, studiuesja Emma Webb vë në dukje një dështim të agjencive dhe institucioneve të ndryshme arsimore për të ndarë informatat rreth individëve të prekshëm ndaj radikalizimit. Ajo i bën thirrje policisë dhe shërbimeve sociale të ndajnë informacionin e duhur për individë të tillë, që pamja e plotë e tyre të bëhet e njohur nga të gjitha agjencitë.