Ballina Sport Bojkoton finalen

Bojkoton finalen

Karl Hainz Rumenige ka vendosur që të mos shohë në stadium finalen e Ligës së Kampioneve, që zhvillohet në Kardif në fillimin e qershorit, pasi nuk i ka dalë ende inati për mënyrën se si Bajerni i tij u eliminua nga ky turne përballë finalistëve të Real Madrid. “Me shumë mundësi do të më duhet të shkoj në Kardif, pasi kam mbledhje të ndryshme atje si president i ECA-s. Por finalen nuk do ta shoh për asgjë në botë, nuk harroj aq shpejt”, tha ai në një intervistë për “Süddeutsche Zeitung”.
Kuptohet që ai i referohej gafave të gjyqtarit në ndeshjen çerekfinale të Ligës së Kampioneve mes Bajern Mynihut, ku ai është shef ekzekutiv, dhe Real Madridit. “Nëse sheh përsëritjen, është diçka të dhemb ende. Atëherë sapo kishim mundur 4-1 Borusian e Dortmundit dhe ishim në formën më të mirë, me të gjithë lojtarët në dispozicion. Por pastaj fillimisht u dëmtua Lewandowski, pastaj Humels. Ishim në avantazh ndaj Realit dhe gabuam penalltinë për rezultatin 2-0.
Pastaj erdhi kjo ndeshje e kthimit me një paraqitje gjyqtarësh që nuk kisha parë asnjëherë në 40 vitet e fundit”, tha Rumenige, sipas të cilit, ajo ndeshje kishte të paktën “5 vendime kyç” të gjyqtarit Viktor Kasai, që bënë të mundur kualifikimin e Realit, i cili tani është në finalen e turneut, përballë Juventusit.
Ndërkohë, Fabiko Kapelo ka deklaruar se në ndeshjen e titullit kampion Reali e ftoi për të spiunuar Juven. Dy vite të kaluara te Reali i Madridit, por në periudha të ndryshme dhe dy kampionate të fituar, dy vite radhazi te Juventusi dhe dy tituj Serie A të fituar, por më pas të anuluar si rrjedhojë e “Calciopoli”-t. Dhe kush më shumë sesa Fabio Kapelo do ta shijonte finalen e Ligës së Kampioneve të mbrëmjes së 3 qershorit, në Kardif, mes dy skuadrave të stërvitura prej tij, ndonëse spanjollët kanë kërkuar edhe ndihmën e tij përpara saj.
Ajo që surprizoi të dielën në mbrëmje, në transfertën e Malagës, ishte prezenca në fushë e “Don Fabios”, pas vërshëllimës së arbitrit, e cila “sinjalizonte” edhe fitimin e titullit nga Reali i Madridit. Analisti i rrjetit “Fox Sports”, i pyetur mbi këtë prezencë të tijën në Spanjë, nuk u fsheh, përkundrazi:
“E vërteta është se, drejtuesit e Realit të Madridit i frikësohen shumë Juventusi. Ata më ftuan me qëllimin që të më pyesnin edhe për faktin sesi mbrojtja e Alegrit nuk arrin të pësojë thuajse kurrë gol. Me pak fjalë, kërkonin një analizë timen dhe një informacion më të detajuar mbi prapavijën dhe cilësitë e futbollistëve që përbëjnë këtë repart të Juventusit.
Dhe unë iu përgjigja se pikërisht për këtë arsye do të jetë një finale gati e barabartë. E them këtë ‘gati’, sepse për mendimin tim, Reali i Madridit niset një ‘pikë’ më i avantazhuar sesa italianët, duke parë vlerat e tyre në sulm. Për mendimin tim, Kristiano Ronaldo mbetet sulmuesi më i fortë në botë në këtë moment dhe për ta ndalur atë është thuajse e pamundur. Për këtë arsye, dueli i tij me mbrojtjen e hekurt të Juventusit do të jetë një betejë e gjitha për t’u shijuar”, u shpreh 70-vjeçari.

Exit mobile version