Ballina Politikë Trafiku i kanabisit ndikoi në zhvlerësimin e euros

Trafiku i kanabisit ndikoi në zhvlerësimin e euros

Ndërsa në bursat ndërkombëtare euro po këmbehet me 1.12 USD, niveli më i lartë në një vit, në Shqipëri euro është afër niveleve më të ulëta që prej tetë vitesh, në rreth 134.5 lekë. Cilët janë faktorët që po zhvlerësojnë monedhën e përbashkët? Monedha e përbashkët ka vazhduar të zhvlerësohet në tregun vendas duke u këmbyer dje me 134.5 lekë. Ndonëse në bursat ndërkombëtare, euro është afër nivelit më të lartë në një vit, në 1.12USD, në Shqipëri monedha e përbashkët është afër niveleve më të ulëta në gati 8 vjet. Euro po këmbehet në tregun vendas me rreth 134.5 lekë, njësoj si në dhjetor 2016, kur ajo zbriti në bursa në 1.05 USD. Në prill-maj të këtij viti, kursi në vend ka ecur në të kundërt të bursës ndërkombëtare, çka tregon se janë faktorët e brendshëm ata që po përcaktojnë forcimin e lekut dhe rënien e euros. Një ndër faktorët më kryesorë që ka ndikuar në zhvlerësimin e euros është trafiku i kanabisit. Aktorët e tregut pohojnë se mbioferta në valutë dhe kërkesa e ulët për të ka sjellë që euro të zhvlerësohet përkundrejt monedhës vendase, ku në të njëjtën datë një vit më parë euro këmbehej 3.6 lekë më shumë. Ekspertët e tregut thonë se në treg nuk ka kërkesë për valutë, ndërsa oferta në lek mbetet e ulët për shkak të rënies së investimeve dhe shpenzimeve të ulëta buxhetore. Për 4-mujorin, buxheti rezultoi me një suficit prej 11 miliardë lekësh, nga 1.4 miliardë lekë që ishte plani, sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave. Shpenzimet kapitale ishin rreth 1.3 miliardë lekë më pak se plani. Tjetër arsye sipas aktorëve të tregut për zhvlerësimin e monedhës së përbashkët ka qenë edhe viti zgjedhor, ku partitë politike duket se po i kryejnë shpenzimet në valutë, ndërsa dhe oferta në euro është e lartë për shkak të burimeve informale (të ardhurat nga kultivimi masiv i hashashit). Por, një tjetër arsye e rëndësishme, që pohojnë ekspertët është dhe mungesa e likuiditetit në lekë nga bizneset, një tregues i aktivitetit të dobët ekonomik. Si rrjedhojë, bizneset po konsumojnë rezervat e tyre në valutë. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se niveli i depozitave në valutë për korporatat jo financiare ka rënë me 42 milionë lekë në shkurt-mars të këtij viti, tkurrja më e lartë në më shumë se një vit. Kjo është një mënyrë për të mbuluar mungesën e likuiditetit pohojnë ekspertët e tregut, ndërsa forma tjetër është përmes emetimit të borxheve. Zhvlerësimi në datat përpara pagesës së tatimit dhe sigurimeve sipas ekspertëve të tregut vjen pasi bizneset për të kryer pagesat po prekin depozitat, të cilat kryesisht i kanë në valutë.

Exit mobile version