Stefano Pioli trajner i Fiorentinës

Stefano Pioli do të zëvendësojë Paulo Sousa si trajner i Fiorentinës dhe do të nënshkruajë kontratë dyvjeçare, raportojnë mediat italiane. 51-vjeçari u shkarkua nga Interi në fillim të këtij muaji, pasi që e kishte zëvendësuar Frank de Boerin e shkarkuar në fillim të këtij sezoni. Ish-trajneri i Lacios i ka kaluar gjashtë vjet me Fiorentinën si lojtar, ndërsa dje “Gazzetta dello Sport” raportonte se Pioli është pajtuar për një kontratë dyvjeçare me Fiorentinën. Raportohet se klubi i Violas është i mahnitur me aftësitë e Piolit për të punuar me të rinjtë, dhe pret që ai të ndihmojë në zhvillimin e të rinjve si Federico Chiesa.
Ndërkohë, Luciano Spalleti pritet të zyrtarizohet si trajner i Interit pas ndeshjes së fundit në kampionatin italian, Seria A. Sipas “Gazzetta dello Sport”, Spattelli e dëshiron me ngul në Inter njërin nga mesfushorët e tij aktual te Roma. Thuhet se, Strootman është opsion më pak i mundshëm, sepse ai është pajtuar për një kontratë të re me Romën, e cila e mban atë në kryeqytetin italian deri në vitin 2021. Nainggolan mbetet opsioni më i mundshëm, edhe pse ai preferon Premier Ligën.
Milan dhe Inter kanë shprehur interesimin e tyre për ta rrëmbyer mbrojtësin e djathtë të Barcelonës, Aleix Vidal, raportojnë mediat spanjolle. Spanjolli i mbush plot 28 vjet në gusht dhe është gati të rikuperohet nga lëndimi serioz që pësoi në nyje.
Gazeta “Sport” sugjeron se derbi Milano është duke u zhvilluar në tregun e transferimeve për Vidal, i cili iu bashkua Barcelonës nga Sevilla për 17 milionë euro në vitin 2015. Ai ka luajtur vetëm 11 ndeshje garuese për “Blaugrana” këtë sezon, duke shënuar dy gola dhe asistuar pesë herë. Raportohet se Barca do ta shesë Vidalin për 10 milionë euro plus bonuset në lidhje me performancën e tij.