Reali, 45 milionë për talentin brazilian

Në pritje të trofeut të 12-të të Champions League, Reali i Madridit po punon edhe për të ardhmen. Klubi merenguez zyrtarizoi blerjen e talentit brazilian, Vinicius nga Flamengo për 45 milionë euro, duke mposhtur madje konkurrencën e Barcelonës. Talenti 16-vjeçar do të qëndrojë te skuadra braziliane deri në korrik të 2019-ës, pra vetëm kur të mbushë 18 vjeç do të transferohet nga La Liga te skuadra madrilene. Gjithsesi në komunikatën e Realit shkruhet se Vinicius mund të mbërrijë edhe para kësaj periudhe në “Bernabeu”, nëse spanjollët bien dakord me klubin brazilian.
Në bazë të marrëveshjes, 30 milionë euro Reali do t’ia paguajë menjëherë Flamengos, ndërsa pjesën tjetër, pra 15 milionë euro pasi futbollisti t’u bashkohet Los Blancos.
Marrëveshja për Vinicius në fakt erdhi pas ngulmimit të drejtuesve të Los Blancos që nuk dëshironin që të përsëritej precedenti Neymar. Përveç Barcelonës, për adoleshentin e jashtëzakonshëm brazilian ishin të interesuar edhe Manchester City apo PSG, por oferta e Realit për futbollistin që në Brazil etiketohet Neymari i ri rezultoi e pakonkurrueshme për klubet e tjera të mëdha në Europë.