Rama ndjen humbjen, nuk i dalin votat, shikon nga Milo e Gjinushi

Disa janë me Ramën e disa të tjerë jo. Mes partive të vogla të së majtës ka plasur sherri. Duke qenë se PD-ja bashkë me aleatët e saj mund të dalë në një logo të vetme, duke i mbledhur të gjitha votat, që sjellin dhe maksimizim të mandateve, edhe Rama ka nisur “mercenarët” e tij që t’i bëjnë thirrje partive të vogla të majta që të tërhiqen nga gara dhe votat t’ia kalojnë PS-së. Por brenda aleatëve të majtë duket se ka pakënaqësi e mbledhur në 4 vitet e qeverisjes që po mbyllet.
Debatin dje e ka çelur i pari Petro Koçi i PSV91, i cili pasi ka zhvilluar një takim në selinë e PS-së, kur ka dalë u ka kërkuar aleatëve të tjerë të majtë që të tërhiqen nga regjistrimi në zgjedhje. Duke shërbyer si “mercenar” i Ramës, siç edhe i tha Paskal Milo, Koçi ka kërkuar largimin nga gara të partive të vogla të majta sepse çdo votë e mbledhur nga ata dëmton PS-në, e cila synon 71 mandate.
“I bëj thirrje edhe Paskal Milos dhe Skënder Gjinushit të tërhiqen”, tha Koçi dje, pas një takimi me deputetin socialist, Musa Ulqini në selinë rozë. Por ftesën e Petro Koçit nuk e kanë pritur aspak mirë, as Paskal Milo i PDS-së dhe as Skënder Gjinushi i PSD-së.
Milo është ndjerë i lënë pas dore nga kryetari i PS-së dhe është shprehur: “Rama të më ftojë vetë, jo të përdorë Koçin si mercenar. Unë nuk refuzoj ftesa për të biseduar. Nëse më fton Rama në negociata, do të paraqitem”.
Kurse Gjinushi nuk është tunduar aspak: “Ne nuk tërhiqemi, ka deklaruar ai. Afati ligjor për të tërhequr regjistrimin ka ngrirë. PS-ja nuk fiton pa mua. Unë i siguroj dy mandate”, është shprehur Gjinushi për median.
Kryetari i PS dhe kryeministër, Rama, dje ka njoftuar aleatët se “nuk do të bëjnë pjesë” në koalicionin e majtë për në zgjedhjet parlamentare.
Fillimisht ai ka dërguar për të njoftuar kolegët, zotin Petro Koçi, zëvendësministër i Mbrojtjes dhe shef i Partisë Socialiste të Rinovuar.
Paskal Milo, i ka thënë zotit Koçi: “Kush je ti? Mercenari i Ramës? Le të më thotë vetë ai”. Kjo ka dëshmuar nervozizëm dhe Rama e ka marrë vesh menjëherë.
“Deklaratat e zotit Koçit, në mënyrën se si është bërë, është për të ardhur keq. Ne nuk na ka ftuar njeri. Faleminderit Petro për thirrjen që bën, por më duket se ke marrë pozitat e mercenarit”, ka thënë Paskal Milo.
Edhe Gjinushi i PSD është treguar i egër. “Në zgjedhje shkojnë shelegë dhe desh”, ka thënë ai, “por ne jemi desh”. E folura e tij natyrale labërishte e ka nxehur më shumë situatën.
“Afati ligjor për të tërhequr regjistrimin ka ngrirë. Ne nuk tërhiqemi nga zgjedhjet. “Manarët le të tërhiqen, deshët do të jenë në fushatë. PS nuk i merr dot 70 vota, duhet patjetër një aleat”, tha Gjinushi në një prononcim për “News24”.
Të dy partitë do të marrin pjesë në zgjedhje pavarësisht nga kërkesa e PS.
Pas kësaj vetë Rama ka vendosur të thërrasë aleatët e vegjël në një takim për të komunikuar se “nuk do të jemi bashkë” në koalicion.
Në takim kanë marrë pjesë vetëm Petro Koçi, Gjergj Koja dhe Hidajet Beqiri- emra tashmë të harruar për politikën. Këtyre, kryetari i PS iu ka thënë se, “bëni çfarë mundeni, shkoni të vetëm se shpenzimet i paguan PS”, sipas mediave.
Nuk kanë marrë pjesë Skënder Gjinushi, Paskal Mili, as Spartak Ngjela.
LSI e Metës është ndarë nga koalicioni që prej fillimit. Tani të majtët shkojnë një nga një në zgjedhje.