Perisiç e Murillo drejt largimit

Nisin spastrimet në radhët e Interit. Drejtuesit e klubit zikaltër po përgatiten për merkato. Transferimi i emrave të mëdhenj nuk do të mungojë, të paktën ky është premtimi i dhënë për tifozët, të cilët janë të zhgënjyer nga performanca e skuadrës, por për të realizuar transferime me peshë, nevojitet zbatimi i një rregulli të përcaktuar nga UEFA. Për të afruar  futbollistë, të cilët kanë një vlerë të konsiderueshme në radhët e Interit nevojiten largime. Rregulli i fair-play financiar është kusht i pashmangshëm për zikaltërit, madje drejtues të klubit ditë më parë deklaruan, se financat  për të transferuar edhe futbollistë si Cristiano Ronaldo apo Mesi nuk mungojnë, por ligji i caktuar nga UEFA, ja bën të pamundur një gjë të tillë. I pari që pritet t’i japë lamtumirën është Ivan Perisiç. Për sulmuesin kroat PSG ka ofruar 55 milionë euro, por në garë për të janë edhe disa skuadra nga Premier League. Pas tij është Jeison Murillo. Në garë për ta pasur në dispozicion shërbimet e mbrojtësit janë Borussia Dortmund, Valencia, Newcastle dhe Monaco. Për të lejuar largimin e kolumbianit, Interi kërkon 12 deri në 15 milionë euro. Monaco ka kërkuar që në tratativa të përfshije edhe futbollistin Lemar, i cili mund të aktivizohet si mesfushor, por edhe si mbrojtës krahu.