KQZ nis procesin e administrimit të zgjedhjeve parlamentare

Në një dalje për mediat, zëdhënësja e KQZ-së, Drilona Hoxha deklaroi se do të nisë pranimi i dokumenteve për ekspertë kontabël që do të mbikëqyrin faturat e shpenzimeve të partive politike. “Ligji nr. 90/2017, i miratuar 48 orë më parë, ka përcaktuar se, KQZ jo më vonë se dita e fillimit të fushatës zgjedhore, që është data 26 maj, emëron me short një numër të mjaftueshëm ekspertësh financiarë për të kryer monitorimin e fushatës zgjedhore të partive politike, duke përfshirë aktivitetet, veprimtaritë dhe materialet e përdorura prej tyre gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet e datës 25 qershor 2017. Bazuar në rëndësinë e veçantë të financimit të partive politike gjatë fushatës zgjedhore dhe kohën e kufizuar që KQZ ka në dispozion për emërimin e ekspertëve kontabël, i bëjmë apel ekspertëve kontabël të licencuar, që të shprehin interesin e tyre pranë KQZ-së, për monitorimin e fushatës zgjedhore të partive politike, brenda dy ditëve. Ekspertët kontabël të regjistruar pranë Instituti i Eksperteve Kontabël të Autorizuar (IEKA), përveç kushteve të përgjithshme të ushtrimit të profesionit duhet, të plotësojnë edhe kriteret e përcaktuara në Udhëzimin e KQZ-së. Auditët e interesuar të dorëzojnë pranë KQZ-së: Kërkesë aplikimi dhe deklaratë e nënshkruar nga kandidati lidhur me kriteret e përzgjedhjes të sipërcituara. Pas shfaqjes së interesit nga ekspertët kontabël pranë KQZ-së, përmes një shorti transparent që do të hidhet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, do të përcaktohen edhe ekspertët që do të bëjnë monitorimin e fondeve të përfituara dhe shpenzuara nga çdo parti politike gjatë fushatës zgjedhore. Janë të lutur të gjithë ekspertët kontabël, të cilët plotësojnë kriteret, të aplikojnë pranë KQZ-së dhe të japin kontributin e tyre në realizimin e kësaj detyre të përbashkët që na ngarkon ligji”, thekson Hoxha.