Ballina Politikë Fushata zgjedhore, KLSH ndalon publikimin e auditeve

Fushata zgjedhore, KLSH ndalon publikimin e auditeve

Kreu i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj, ka urdhëruar që të ndërpritet publikimi i raporteve të kontrollit të pasurive mbi zyrtarët, për shkak të nisjes së fushatës elektorale. “Vendimet e kryetarit të KLSH-së mbi auditimet e ushtruara në subjekte nuk do të publikohen në web-in e institucionit gjatë periudhës elektorale që përkon me zgjedhjet e organeve legjislative për periudhën 23 maj-27 qershor 2017”, është ky urdhri i lëshuar nga Leskaj për stafin e brendshëm. Ndërkohë që në raportin e vitit të shkuar thuhet se janë audituar në total 37 subjekte të administratës qendrore, 51 subjekte të pushtetit vendor, 14 auditime në sistemin tatimor dhe doganor, 20 shoqëri me kapital shtetëror dhe 7 projekte me financim të huaj. Gjithashtu janë audituar 19 subjekte të lidhura me administrimin e pronës dhe vetëm 6 subjekte të mbrojtjes së mjedisit. Ndërsa 13 auditimet e performancës, që janë realizuar gjatë vitit 2016, janë shtrirë në 106 subjekte. Nga auditimet e realizuara gjatë vitit 2016 janë konstatuar shkelje dhe parregullsi financiare që i përkasin periudhës objekt auditimi 2013-2016. Parregullsi dhe shkelje financiare në të ardhurat dhe në shpenzimet e kryera janë konsideruar si dëm ekonomik në shumën totale prej 25,4 miliardë lekë, nga e cila rekomanduar për zhdëmtim në vlerën 24,7 miliardë lekë ose në masën 97% (188 milionë euro). Janë gjetur shkelje të disiplinës financiare me ndikim negativ në të ardhura në shumën 10,9 miliardë lekë dhe në nivelin e shpenzimeve në shumën 36,9 miliardë lekë, në një total prej 46,8 miliardë lekë (346 milionë euro). Në total, shkeljet e konstatuara kanë pasur një efekt negativ për shtetin në shumën 72,3 miliardë lekë, afërsisht 534 milionë euro. Këtë vit KLSH ka publikuar rezultatet e auditeve vetëm për 24 institucione dhe ente publike.

Exit mobile version