Basha: Një grusht oligarkësh përfituan nga qeveria e Ramës

Kryetari i PD, Lulzim Basha ka dënuar dje talljen publike që Rama ka nisur me qytetarët duke bërë fushatë me të njëjtat premtime me të cilat erdhi në pushtet, pasi në katër vite dështoi në realizimin e tyre. Përmes një reagimi të shpërndarë për mediat, Basha ka kujtuar dështimin e Ramës në mbajtjen e premtimeve ndaj qytetarëve. Ai solli në vëmendje premtimin për 300 mijë vende pune, ku sot jo vetëm që nuk është ndërmarrë asnjë masë për hapjen e vendeve të reja të punës, por u thellua edhe më keq niveli i papunësisë. Sipas statistikave zyrtare jo vetëm në vend, por edhe të institucioneve europiane rezulton se, papunësia në Shqipëri në katër vitet e fundit u rrit edhe më tej, ku kategoria e të rinjve në veçanti pësoi rritje me 30%. Basha përmendi nivelin e lartë të varfërisë, ku sot shqiptarët për shkak të keqqeverisjes po vuajnë skamjen në familjet e tyre, ndërsa shtresa e mesme ka shkuar drejt zhdukjes. Basha gjithashtu është ndalur tek shëndetësia dhe premtimi për shëndetësi falas, por sot shëndetësia është shndërruar në sektorin më të rrënuar ku çdo qytetar po paguan nga xhepi i tij për të marrë shërbimet mjekësore ndërsa sot, i gjendur në vështirësi Rama u kërkon votën qytetarëve duke u bërë të njëjtin premtim, shëndetësi falas. Basha denoncoi ngjitjen e krimit dhe drogës në pushtet si dhe kapjen e qeverisë pikërisht nga këto dy fenomene. “Edi Rama mendon se, meqë i gënjeu njerëzit një herë, mund t’i gënjejë përsëri. Pasi nuk mbajti asnjë premtim, qoftë edhe një të vetëm, ai ka filluar të premtojë nga e para. Premtoi 300 mijë vende pune, por nuk hapi asnjë. 300 mijë shqiptarë e braktisën Shqipërinë katër vitet e fundit për të gjetur punë në emigrim, por në vend të kërkojë falje, ai po gënjen prapë se do të hapë 220 mijë vende në mandatin e dytë. Në katër vite, të varfërit u varfëruan më shumë, ndërsa një grusht oligarkësh u bënë më të pasur nga favoret e qeverisë, por ai prapë gënjen kur thotë se do të punojë për të varfërit. Shëndetësia e premtuar falas është rrënuar dhe njerëzit paguajnë çdo gjë nga xhepi i tyre, por ai gënjen edhe një herë duke premtuar se do e bëjë falas në mandatin e dytë. Ai i braktisi fermerët e nuk u dha kurrë mbështetje, por ai tani premton se me të do të lulëzojë bujqësia. Krimi zaptoi shtetin e ekonominë dhe kanabisi mbuloi Shqipërinë, por ai thotë se ka bërë shtet dhe do të bëjë edhe më shumë shtet”, shprehet Basha. Kreu i PD shprehu bindjen se 25 qershori do të jetë dita që do të sjellë ndryshimin e madh, ku Republika e re do të kthejë pushtetin tek qytetarët. “Edi Rama kujton se njerëzit nuk kuptojnë, prandaj i gënjen, i përçmon dhe i tall çdo ditë ata. Shpërfillja ndaj qytetarëve dhe përqendrimi i pushtetit e pasurisë në pak duar është vetë thelbi i republikës së vjetër. Ndryshimi më i madh që do të sjellë Republika e re është kthimi i pushtetit tek njerëzit, të cilët do të kenë mundësi të jetojnë në mënyrë të ndershme, me punën dhe aftësitë e tyre”, shprehet kreu i PD.