Dorëzohet në polici ish-shefi i Rendit Laç, kultivonte drogë

Ish-shefi i Rendit në Laç dorëzohet në polici, pak kohë pasi Prokuroria kishte nxjerrë urdhër-arresti për të me akuzën se kishte lejuar kultivimin e drogës. Paraditen e djeshme, Ylli Vata u dorëzua në polici dhe do të përgjigjet para drejtësisë për dosjen tashmë të kopsitur nga organi i akuzës.
Prokuroria për Krime të Rënda, njoftoi kohë me parë se me kërkesë të saj, Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për shtetasin Ylli Vata, me funksion Shef i Rendit në Komisariatin e Policisë Kurbin, në kuadër të një hetimi për veprat penale të “Kultivimit të lëndëve narkotike”, “Grupit të strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprimeve në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”.
Nga hetimi u konstatua se një sasi relativisht e madhe bimësh narkotike nuk është asgjësuar edhe pse grupi i kontrollit, i drejtuar nga Shefi i Rendit Ylli Vata, kishte qenë në këto vende dhe nuk ka kryer detyrën për asgjësimin e tyre.