Katër javët e fundit, Basha: Koha e maskarenjve po mbaron

Pasi është detyruar të dorëzojë gjysmën e kabinetit qeveritar, guri i fundit i dominosë të Republikës së Vjetër do të detyrohet që të largohet me votë me 25 Qershor. Qeveria Rama dhe mazhoranca janë shkërmoqur tërëisht. Ndërsa qeveria ka rënë dhe Rama kontrollon vetëm disa portofole pa rëndësi në cabinet, e njëjta gjë mund të thuhet për koalicionin qeveritar, I cili tanimë nuk ekziston. LSI ka dalë e vetme në zgjedhje dhe po ashtu edhe PDIU.
Kryetari i PD, Lulzim Basha paralajmëroi dje përballjen me masat më të ashpra ligjore që çojnë deri në shtatë vite burg do të jetë dënimi për cilindo që do të përfshihen në krimin elektoral të blerjes apo shitjes së votës.
Lideri i opozitës, Lulzim Basha ka komentuar seancën e të hënës mbrëma ku u votuan ligjet e Vettingut, ministrat e qeverisë teknike dhe ndryshoi ligji për shitjen e votës, duke ashpërsuar dënimet. Basha është ndaluar pikërisht tek kjo e fundit.
Një mesazh të prerë, Basha e ka përcjellë edhe tek policët dhe ushtarakët, të cilëve u ka bërë thirrje të respektojnë dhe zbatojnë detyrat që u ngarkon ligji për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve mbi lirinë e votës.
“Mbrëmë u hodh një hap i rëndësishëm drejt zgjedhjeve të lira dhe Republikës së re: Kuvendi shpalli ligjërisht krim serioz çdo lloj përpjekjeje apo veprimi që kufizon apo cenon vullnetin e lirë dhe votën e lirë të qytetarëve.
Dënime të rënda i presin tani, matrapazët e zinj të blerjes së votës, kriminelët e rrugës dhe ata në poste shtetërore që kërcënojnë apo detyrojnë me forcë qytetarët të votojnë kundër vullnetit të tyre, komisionerët, numëruesit dhe punonjësit zgjedhorë që manipulojnë votimin dhe numërimin e votave. Policët dhe ushtarakët, të cilët në vend që të mbrojnë të drejtat e qytetarëve dhunojnë të drejtën e shenjtë të votës, punonjësit e shtetit që paratë dhe pasuritë që u takojnë qytetarëve i vënë në shërbim të partisë”, thekson kreu i PD, Basha.
Nga ana tjetër, kryetari Basha vlerësoi rolin e ministrave teknikë, të cilët tashmë kanë nisur punën e tyre në krye të dikastereve përkatëse, ndërsa deklaron se zgjedhjet e 25 qershorit do të sjellin fundin e këtij pushteti, duke i hapur rrugën ndërtimit të Republikës së Re.
“Me forcën dhe vendosmërinë që treguam 90 ditët e qëndresës sonë historike, ne do të bëhemi barrierë ndaj kriminelëve zgjedhorë që ata të mos guxojnë të dhunojnë lirinë e votës, sepse do të humbasin lirinë e tyre. Puna e ndershme dhe kurajoze e ministrave teknikë, drejtimi i paanshëm i KQZ-së, kufizimi i shpenzimeve zgjedhore dhe masat e tjera që po ndërmarrim për zgjedhje të lira dhe të ndershme, do u japin qytetarëve mundësinë dhe garancitë që të zgjedhin lirisht qeverinë që ata duan t’i drejtojë.
Koha e maskarenjve po mbaron. Tani është koha për Republikën e re, republikën e lirisë dhe demokracisë së vërtetë”, shprehet Basha në reagimin e tij.
Me ndryshimet e reja të miratuara mbrëmjen e së hënës në Parlament, kushdo që do të guxojë të përfshihet në veprën penale të shitblerjes së votës do të përballet me burg, deri në shtatë vjet heqje lirie. Parlamenti miratoi me shumicë të cilësuar votash ndryshimet të reja në Kodin Penal, të cilat sanksionojnë për herë të parë masat më të rrepta të ndëshkimit për cilëndo që përfshihet në shitblerjen e votës. Ashpërsimi i masave parashikon heqjen e gjobës, si në rastin e mëparshëm dhe zëvendësimin e saj me heqje lirie në rast të kryerjes së kësaj vepre penale. Miratimi i kësaj mase vjen pas marrëveshjes së arritur Basha-Rama për garantimin e zgjedhjeve. Reforma Zgjedhore është një nga çështjet më të rëndësishme të marrëveshjes politike PS-PD të 18 majit. Amendimi i Kodit Penal lidhet me kundravajtjet elektorale, që do të konsiderohen “krime zgjedhore” ndaj dhe parashikohet një ashpërsim i masave për rastet e shitblerjes së votës.