Milan bën goditjen e parë, vjen Musacchio

Milani i ri nuk humbet kohë për të forcuar skuadrën për sezonin e ardhshëm. Pasi siguruan edhe matematikisht rikthimin në Europë me fitoren ndaj Bolognës, kuqezinjtë kanë bërë goditjen e parë në merkato. Mateo Musacchio tashmë mund të konsiderohet në çdo efekt një futbollist i Milanit. Drejtori i Përgjithshëm, Marco Fassone dhe ai sportiv Mirabelli kanë arritur marrëveshjen me Villarealin për kalimin e 26-vjeçarit në “San Siro”. Musacchio ndodhet në Milano ku ka kaluar me sukses vizitat mjekësore, ndërsa në orët e ardhshme do të nënshkruajë edhe zyrtarisht kontratën që do ta lidhë me 7 herë kampionët e Europës për 4 vitet e ardhshme.
Musacchio ishte një objektiv i Milanit edhe verën e kaluar, por në atë periudhë administratori i deleguar Adriano Galliani nuk kënaqi dot Villarealin me ofertën që i bëri nëndetëses së verdhë për qendërmbrojtësin. Marrëveshja mes Milanit dhe Musacchios ishte arritur prej disa javësh pasi trajneri Montella dëshironte ta kishte me çdo kusht në skuadër 26-vjeçarin. Kartoni i Musacchios i ka kushtuar arkave të Milanit 18 milionë euro përfshirë këtu edhe bonuset. Mbrojtësi argjentinas është goditja e parë në merkato e pronarëve kinezë të Milanit, por drejtuesit kuqezinj kanë arritur marrëveshjen edhe me mesfushorin e Atalantës, Franck Kessie dhe mbrojtësin e Wolfsburgut, Ricardo Rodriguez, të cilët do të bëhen zyrtarisht pjesë e Milanit në javët që do të vijnë.