Xavi: Topi i Artë duhet të shkojë për Buffon

Topi i Artë duhet të shkojë për Buffon. Ish-mesfushori i Barcelonës, Xavi Hernandez ka shprehur opinionin e tij në lidhje me finalen e Champions League, Juventus-Real Madrid. 37-vjeçari parashikon një përballje interesante, ku shanset janë 50 me 50, por sipas tij bardhezinjtë janë favoritë, pasi ata kanë një skuadër kompakte dhe portieri i Zonjës së Vjetër e meriton një trofe të tillë në karrierën e tij dhe më pas të pasohet me një tjetër siç është ai i Topit të Artë.
“Juventusi është një skuadër e madhe, këtë gjë e treguan, duke eliminuar Barcelonën. Mbrojtja është një plus më shumë për ta. Shanset për fitimin e Champions League janë 50 me 50. Personalisht shpresoj të triumfojë Juventusi, për shkak të Buffon, i cili e meriton plotësisht një trofe të tillë e më pas të regjistrojë një tjetër sukses, atë të Topit të Artë”, u shpreh Xavi.
Më pas, Xavi u ndal edhe tek gara në La Liga. Ai e sheh si të pamundër dështimin e Realit të Madridit në xhiron e fundit të kampionatit, nëse një gjë e tillë ndodh do të ishte një mrekulli për Barcelonën, por shanset janë pothuajse zero. “Në javën e fundit në kampionat, Reali do të ndeshet me Malagën, një kundërshtar i vështirë, por shanset janë të pakta që Reali të gabojë. Barcelonës nuk i mbetet gjë tjetër vetëm të presë sezonin e ardhshëm për ta fituar La Ligën”, tha ai.