Vëzhguesit Vendorë: Dështoi mendësia e asgjësimit të opozitës

Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë ka përshëndetur arritjen e marrëveshjes mes pozitës dhe opozitës. KVV thotë se përgëzon vullnetin e shprehur nga kryetari i mazhorancës, Rama dhe ai i opozitës, Basha në arritjen e dakordësisë midis tyre, duke evidentuar edhe një herë se falë dialogut dhe vullneteve konstruktivë arrihet të shmangen edhe ndasitë apo divergjencat më antagoniste. Në një njoftim për mediat, koalicioni thotë se, “nxit dy liderët kryesorë të vendit që nëpërmjet detajimit të kësaj marrëveshjeje të shënjohet njëkohësisht edhe fundi i krizave institucionale, të lindura dhe të zgjidhura në rrethin e ngushtë të lidershipit politik. Rasti i krizës së fundit politike risolli edhe një herë në vëmendje se mosfokusimi në adresimin efektiv dhe real të nevojave qytetare prej klasës politike, lë vend për mendësi kundërvënie të natyrës asgjësuese ndaj alternativave dhe mendësive ndryshe, të cilat, në mungesë edhe të perspektivës institucionale dhe gjithëpërfshirjes së tërë aktorëve, përfundojnë si kauza të personalizuara dhe aspak demokratike”. KVV thotë se “sfida primare, lidhur edhe me procesin zgjedhor që pritet të mbahet, duhet të jetë ndërtimi i një kulture dialogu gjithëpërfshirës me protagonistë vendimmarrës vetë qytetarët. Procesi zgjedhor që pritet të zhvillohet duhet të ndërtohet mbi gjuhën e alternativave konkrete ndaj qytetarëve, larg intimidimit dhe formave të korrupsionit zgjedhor. Mbajtja e një procesi zgjedhor të lirë dhe të ndershëm përfshin jo vetëm 12 orëshin e ditës së votimit, por ndërtohet nëpërmjet mendësisë që pushteti qeverisës buron nga qytetari dhe është në shërbimin e tij”. Në përfundim, “Koalicioni sjell në vëmendje se mirënjohje për arritjen e kësaj dakordësie i takon edhe përfaqësive të huaja në vend dhe partnerëve ndërkombëtarë, që në vijimësi dhe me këmbëngulje, vazhdojnë të asistojnë demokracinë shqiptare. Një asistencë që shkon përtej nxitjes së një procesi shtetformues demokratik dhe vazhdon të mbetet ende si garancia e fundit siguruese e konfliktit politik vendas, përgjatë të cilit kapacitetet dialoguese të shoqërisë civile nuk njihen apo janë të përjashtuara”.