Real Madrid kërkon Boateng

Largimi i portugezit Pepe ka vendosur në lëvizje Realin e Madridit në kërkim të një qendërmbrojtësi të besueshëm dhe me eksperiencë. Sipas revistës gjermane, “Kicker”, Florentino Perez ka piketuar shtatlartin e Bayern Munchen, Jerome Boateng, të cilin dëshiron ta ketë pjesë të skuadrës sezonin e ardhshëm. Presidenti madrilen është gati t’i ofrojë skuadrës gjermane rreth 40 milionë euro për ta lënë të lirë 28-vjeçarin, i cili do ta pranonte me kënaqësi një ofertë ekonomike dukshëm më të lartë nga Reali, por nuk do të ishte kundër edhe nisjes së një eksperience të re larg Bundesligës. Topi qëndron në këmbët e Bayernit pasi me largimin e Boateng mbrojtja e kampionëve të Gjermanisë do të humbiste një nga kolonat e mbrojtjes dhe gjetja e një pasardhësi të denjë mund të rezultojë një mision shumë i vështirë.
Gjithsesi, Reali nuk do të ndalet këtu pasi transformimi i skuadrës së re do të prekë shumë sektorë dhe një nga më delikatët është mesfusha. “Daily Mail” raporton se James Rodriguez dhe Manchester United kanë arritur marrëveshjen në parim dhe në arkën e “Los Blancos”, klubi anglez mund të derdhë 150 milionë euro për të finalizuar transferimin e tij dhe atë të Gareth Bale. Edhe uellsiani ashtu si kolumbiani nuk ndihet komod në “Santiago Bernabeu” dhe Jose Mourinho ka bërë një kërkesë për të bashkuar me skuadrën e tij dy lojtarët e Realit. Uellsiani ka kaluar një sezon plot dritëhije për shkak të dëmtimeve të shumta dhe ndryshimi i ambientit do të ishte i mirëpritur, pasi futbolli anglez shënoi kulmin e karrierës së tij personale me fanellën e Tottenhamit.