Ballina Sport Tension para finales

Tension para finales

Kur kanë mbetur edhe tri ndeshje nga përfundimi zyrtar i sezonit, Alvaro Moratën nuk e kanë mbajtur nervat. Edhe pse tani është momenti më delikat, që përcakton fatet e sezonit për Realin e Madridit, sulmuesi spanjoll ka treguar të gjithë zemërimin që mban brenda vetes së tij gjatë gjithë këtij viti.
U transferua në Madrid për të qenë një lojtar i rëndësishëm dhe lider i skuadrës, por duket se gjithçka që u tha në verën e kaluar mbeti thjesht premtim. Ai ka qenë nga ata që ka ngrohur stolin e rezervave, edhe pse statistikat dhe golat e shënuar i kanë dhënë të drejtë për të kërkuar më shumë minuta të luajtura. Ashtu si James Rodrigez, edhe ai ka qenë i pakënaqur me trajnerin Zidan.
Në minutën e 61-të të ndeshjes me Sevijen, trajneri francez vendosi ta largonte nga fusha e lojës për të futur Lukas Vaskezin dhe Morata doli i mërzitur. Mediat e mëdha në Spanjë u munduan ta fshihnin veprimin e Moratës, por “Deportes Cuatro” dhe “Jugones” e kanë publikuar momentin kur sulmuesi spanjoll largohet i mërzitur dhe nuk i jep dorën trajnerit.
Pavarësisht se Zidan vendosi ta përshëndeste, Morata largohet menjëherë duke e “injoruar” atë dhe duke i shprehur pakënaqësinë e këtij zëvendësimi. Diçka që nuk është pritur mirë as nga vetë trajneri, por që ka kaluar në heshtje, sepse jemi në fund të sezonit dhe Reali, për më tepër, do të luajë finalen kundër Juventusit.
Në Spanjë janë të sigurt se Alvaro Morata do të largohet nga skuadra gjatë verës për të nisur një tjetër aventurë dhe destinacioni i tij i ardhshëm mund të jetë Londra. Antonio Konte dhe Çelsi janë gati për ta transferuar sulmuesin spanjoll, i cili gjatë kësaj kohe ka akumuluar eksperiencë të nevojshme për të qenë lider i një ekipi.
Zinedine Zidane, trajneri i Real Madridit, ka folur për të ardhmen e James Rodriguezit. Gjatë ditës së djeshme është raportuar se James Rodrigues do t’i bashkohet Manchester Unitedit në fund të sezonit. Por, Zinedine Zidane, gjatë konferencës për media para ndeshjes me Celta Vigon, nuk ka dashur të flasë për këto raportime. “E ardhmja e James? James është këtu dhe do të mendojë vetëm për tre ndeshjet që na kanë mbetur”, ka deklaruar Zidane.
Kolumbiani, i cili të dielën është përshëndetur me tifozët në “Santiago Bernabeu”, do të largohet pasi nuk ka të garantuar vend në formacion nga Zinedine Zidanes. James u transferua tek Reali në vitin 2014 për 80 milionë euro nga Monaco. Ai ka bërë 109 paraqitje për Los Blancos, duke shënuar 36 gola.

Exit mobile version