Tema të vështira në bisedimet Trump-Erdogan

Mbështetja amerikane për forcat kurde që po luftojnë Shtetin Islamik në Siri, pritet të mbizotërojë në takimin e parë zyrtar mes Presidentit amerikan, Donald Trump dhe Presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan. Turqia e kundërshton me forcë atë aleancë, duke thënë se kurdët e Sirisë janë të lidhur me grupin terrorist kurd PKK në Turqi, që po lufton për një shtet të pavarur kurd. Por për administratën amerikane, përparësia në konfliktin e Sirisë është të mposhten ekstremistët dhe kurdët janë e vetmja forcë lokale që ka shënuar përparim në luftën kundër xhihadistëve.
Kurdët e Sirisë janë forca kryesore e një aleance që po përpiqet të marrë kontrollin e Rakës, baza e fortë e Shtetit Islamik në veri të Sirisë. Shtetet e Bashkuara deklaruan javën e kaluar se do të pajisin me armë kurdët e Sirisë për të siguruar fitoren ndaj grupit terrorist. Njoftimi u bë disa ditë para vizitës së parë të Presidentit Erdogan në Shtëpinë e Bardhë, prej katër vjetësh.
“Presidenti turk këmbëngul se Shtetet e Bashkuara nuk duhet t’i armatosin kurdët e Sirisë, që ai i akuzon se janë bashkëpunëtorë ose aleatë me organizatën turko-siriane, PKK. Problemi është se nuk ka asnjë grup tjetër që të mund të marrë nën kontroll Rakën”.
Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, Henry Barkey, drejtor i programit të Lindjes së Mesme në qendrën “Woodrow Wilson”, tha se zoti Trump është i vendosur që Shteti Islamik të mposhtet në Raka. “Ai do që të merret kontrolli i Rakës, që të mund të thotë që e mundi ISIS-in, gjë që ish-presidenti Obama nuk arriti ta realizonte”. Zyrtarët ushtarakë amerikanë kanë arritur në përfundimin se aleanca me kurdët e Sirisë, është alternativa më e mirë në përpjekjet për të rimarrë Rakën.
“Nuk ka asnjë forcë tjetër ushtarake që të ketë aftësinë ta marrë Rakën. Kurdët e Sirisë e kanë provuar aftësinë e tyre në qytetin Mambij dhe ata kanë bërë plane dhe kanë kohë që përgatiten për të marrë Rakën”.
Para vizitës në Shtetet e Bashkuara, presidenti turk ishte optimist se Uashingtoni do të tërhiqej nga vendimi.
“Dua të analizoj të gjithë informacionet që deri tani i kemi vetëm me të dëgjuar. Jo pa qëllim po e theksoj këtë pikë. Kështu dua ta shoh këtë çështje dhe mendoj se ky udhëtim do të shënojë një pikë kthese”.
Zoti Erdogan kërkon gjithashtu ekstradimin e klerikut turk Fethullah Gulen, me banim në Shtetet e Bashkuara dhe të cilin ai e akuzon si organizatorin e grushtit të dështuar të shtetit në Turqi.
Por analistët thonë se Presidenti Trump nuk ka gjasa të ndryshojë qëndrim për asnjë nga këto çështje të rëndësishme. Prandaj atij do t’i duhet të paraqesë ide të pranueshme për mbështetësit e zotit Erdogan në Turqi.