SHBA: Problemet qëndrojnë, gati ndihma për ti zgjidhur

Zëvendësndihmës-Sekretari amerikan i Shtetit, Hot Brian Yee përgëzoi dje opozitën shqiptare që përmes qëndrimeve të saj ka arritur që të ndërgjegjësojë komunitetin ndërkombëtar për problemin e drogës, krimit dhe korrupsionit të qeverisë. Zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit i bëri këto komente pas një takimi me Kryetarin e opozitës, Basha dhe krerët e partive të tjera opozitare në selinë e PD. Yee ka mbërritur në Tiranë në një tur takimesh me liderët kryesorë politikë në vend për gjetjen e një zgjidhje të krizës politike. Ai është takuar dje edhe me kreun e  qeverisë, Rama dhe kreun e Parlamentit, Meta.
Njohja e problemit të drogës, krimit dhe korrupsionit për Shqipërinë dhe impaktin që ai do të ketë në zgjedhje është një konstatim i bërë edhe nga Raporti i Departamentit amerikan të Shtetit. Janë miliarda euro në dispozicion të bandës në pushtet me qëllim për blerjen e zgjedhjeve. Nëse i referohemi raporteve amerikane, por edhe atyre europiane zgjedhjet janë të rrezikura që të kapen nga krimi.
Prova më e qartë janë tre farsat elektorale që kanë nisur me Korçën, zgjedhjet lokale 2015 dhe që kulmuan me zgjedhjet për Bashkinë e Dibrës. Opozita kërkon kushte për zgjedhje të lira që mund të arrihen vetëm përmes një pakete politike të zgjidhjes së problemit.
Një lajm i mirë nga takimet e djeshme të zyrtarit të lartë të Departamentit amerikan të Shtetit është fakti se Shtetet e Bashkuara, tani e njohin dhe e kanë identifikuar se cili është problemi që rrezikon zgjedhjet. Nëse ka një përgëzim amerikan për qëndrimet e opozitës që kanë identifikuar përmes protestës tre mujore problemin e drogës, krimit dhe korrupsionit, atëherë është e kuptueshme se edhe zgjidhja politike duhet të evitojë këto problematika dhe të krijojë një klimë besimi të opozitës me institucionet që tani kanë rënë në duart e krimit.
Vizita e Zëvendësndihmës-Sekretarit amerikan të Shtetit, Hot Brian Yee, vjen në një kohë që vendi është përfshirë në krizë të thellë politike dhe në prag të një shpërthimi të zemërimit popullor për shkak të lidhjeve të krimit me qeverinë që kanë çuar në një protestë maratonë të opozitës, e cila vijon prej afro tre muajsh në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Kjo vizitë vjen gjithashtu edhe pas protestës më të madhe në 27 vite që solli një bashkim popullor në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Burime nga takimi mes Zëvendësndihmës-Sekretarit amerikan të Shtetit, Hot Brian Yee dhe drejtuesve të opozitës, thanë se zyrtarët amerikanë u angazhuan se do të përpiqen të ndihmojnë në zgjidhjen e ngërçit, pasi pranuan se shqetësimet e ngritura janë reale. “Ata përgëzuan opozitën që përmes qëndrimeve të saj ka arritur të ndërgjegjësojë komunitetin ndërkombëtar për problemet e mprehta si droga, krimi dhe korrupsioni”.
Në takim është diskutuar gjërësisht për standardet zgjedhore si dhe për gjetjen e garantëve që do të sigurojnë votën e lirë të shqiptarëve. Burime nga takimi thonë se, Basha është shprehur se “standardet zgjedhor do të jenë sipas zgjidhjeve të propozuara nga ne, por të hapur për propozime të barazvlefshme në produktin final, që është garantimi i lirisë së votës për qytetarët”.
Përgjatë viteve 2015-2016, Shqipëria u rendit në vendin e parë në Evropë për kultivimin dhe eksportimin e drogës, ku rolin kryesor e luajti qeveria shqiptare. Me miliarda dollarë pritet që të implementohen në manipulimin e votave në zgjedhjet e ardhshme, një fakt ky i pranuar dhe nga ambasadori i OSBE në Shqipëri. Gjithashtu, “nën armë” për të kryer manipulimin e votave, Rama ka thirrur dhe elementin kriminal. Të gjitha këto, por edhe paratë që vijnë nga korrupsioni apo përdorimi i administratës siç po ndodh rëndom, rrezikojnë të fusin nën trysni votuesin dhe rasti më flagrant qe ai i zgjedhjeve lokale në  Dibër.