Modriç do të largohet nga Reali

Skuadra e Real Madridit mund të jetë pa disa yje, të cilët kanë bartur barrën kryesore të skuadrës në vitet e fundit. Përveç James Rodriguezit dhe Gareth Bales, të cilët mund të transferohen në Manchester Untied gjatë kësaj vere, nga Los Blancos mund të largohet edhe Luka Modriç, shkruan “Diario Gol”. Sipas “Diario Gol”, nëse Real Madridi fiton Ligën e Kampionëve, ku më 3 qershor do të luajë me Juventusin, mesfushori kroat mund të largohet nga “Santiago Bernabeu”.
“Diario Gol” zbulon se ish-futbollisti i Totteanhamit dhe Dinamo Zagrebit ka oferta të majme nga Chelsea, Arsenal, PSG dhe Bayern Munich. Thuhet se edhe Zinedine Zidane do ta lejojë lojtarin që të kërkojë një skuadër të re, pas paraqitjes fantastike në fanellën e Real Madridit në vitet e fundit.
Modriç u transferua në Real Madrid nga Tottenham në vitin 2012. Ai me skuadrën mbretërore deri më tani ka luajtur 138 ndeshje dhe ka shënuar 8 gola. Por, drejtuesit e Los Blancos nuk do të rrinë duarkryq gjatë afatit kalimtar të kësaj vere. Përveç sulmuesit të Flamengos, Vinicius Junior, Real Madridi pritet të transferojë edhe dy yje të rinj. Fjala është për Dele Allin (Tottenham) dhe Kylian Mbappe (Monaco), shkruan “Fichajes.net”.
Dele Alli, i cili ka kontratë me Tottenhamin deri në vitin 2022, nuk e ka përjashtuar mundësinë e largimin nga Tottenham. “Çdo gjë mund të ndodhë në çdo kohë”, ka deklaruar Alli. Kurse, Real Madridi shumë shpejt pritet t’i nisë edhe negociatat me Monacon për transferimin e sulmuesit francez, Kylian Mbappe.
Los Blancos një herë kishte planifikuar që lojtarin ta transferojë në vitin 2018, por kanë ndryshuar mendjen duke tentuar që ta transferojnë gjatë kësaj vere. Mbappe, i cili ka shkëlqyer këtë sezon në Monaco, kushton rreth 100 milionë euro. Ai kërkohet edhe nga ekipet e mëdha si Barcelona, Juventus, Inter, Arsenal, Chelsea, Manchester Untied dhe City.
Ndërkohë, mbrojtësi i Real Madridit, Dani Carvajal është duke u shëruar nga një lëndim, i cili e ka lënë jashtë fushe që dy javë. Ai gjatë një interviste për “AS”, ka thënë se po bën maksimumin për të qenë gati për finalen e Ligës së Kampionëve, që do të zhvillohet më 3 qershor në Cardiff kundër Juventusit.
“Po shërohem shumë mirë dhe javën tjetër do ta mësoj saktësisht gjendjen time. Po ndjehem çdo ditë më mirë dhe po tentoj të shërohem më shumë. Shpresoj se do të jem gati për finalen e Cardiffit”, ka thënë Carvajal. Ai po ashtu ka folur edhe për Bale, ku tha se është një futbollist i klasit botëror. Spanjolli po ashtu komentoi edhe të ardhmen e James Rodriguez, për të cilin tha se është i lumtur në Madrid, por e ardhmja e tij vendoset në bashkëpunim me klubin.