KLSH: Tatim progresiv mbi të ardhurat e deputetëve

“Pagat dhe shpërblimet, në lidhje me marrëdhëniet e punës aktuale, do të tatohen sipas tarifave si vijon: Nga 0 – 30,000 lekë, 0%;
Nga 30,001 – 130,000 lekë, 13% e shumës mbi 30,000 lekë, dhe
Mbi 130,000 lekë, 13,000 lekë + 23% e shumës mbi 130,000 lekë”

Kontrolli i Lartë i Shtetit kërkon tatim më të lartë për 140 deputetët e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për pjesëmarrje në komisione parlamentare. Pas auditimit të bërë në Kuvendin e Shqipërisë, KLSH konstaton se, deputetët për pagesën e të ardhurave për pjesëmarrje në komisione të deputetëve është mbajtur tatimi në burim në masën 15% e shumës së përfituar, ndërsa KLSH deklaron se është vepruar në kundërshtim me kërkesat e Ligjit 8438, pasi në këtë rast deputetët duhet të paguajnë një tatim jo 15 për qind, por 23 për qind.
KLSH ka reaguar pas një shkrimi të publikuar në një media ku thuhej se, deputetët do të paguanin më pak taksa për pjesëmarrje në komisione parlamentare, ndërkohë që është e kundërta e kësaj. Sipas këtij artikulli, “Deputetët e Kuvendit janë taksuar padrejtësisht për vitet 2015 dhe 2016. Pagesat e deputetëve për pjesëmarrje në mbledhjet e komisioneve parlamentare janë tatuar në masën 15 për qind, por kjo sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit është në kundërshtim me ligjin.
Kontrolli i Lartë i Shtetit në kontrollin që ushtroi për veprimtarinë financiare të Kuvendit të Shqipërisë për periudhën 2015-2016 ka konstatuar se, pagesat e deputetëve për pjesëmarrjen në mbledhjet e komisioneve janë tatuar 15 për qind në kundërshtim me ligjin për tatimin e të ardhurave. Kontrolli i Kuvendit përfundoi në fund të muajit prill dhe rekomandimet e lëna nga Kontrolli i Lartë i Shtetit bëhen publike në raportin “Mbi zbatimin e rregullueshmërisë financiare në Kuvendin e Shqipërisë”. Në këto kushte, Kontrolli i Lartë i Shtetit i rekomandon Byrosë së Kuvendit të shfuqizojë vendimin për tatimin për pagesat e deputetëve në komisione”, shkruhet në artikull.
Pas publikimit të këtij artikulli, KLSH ka reguar duke deklaruar se, shkrimi, pasi citon gjetjen e Kontrollit të Lartë të Shtetit, vijon me analizë personale, duke dhënë një shpjegim të gabuar të asaj çfarë KLSH ka theksuar në analizën e tij, duke mos theksuar faktin që KLSH kërkon tatimin më të lartë për pjesëmarrje në komisione të deputetëve, 23% dhe jo 15% siç veprohej deri tani.
“Shpjegojmë se Kontrolli i Lartë i Shtetit, në Raportin Përfundimar të Auditimit dhe Vendimin e Kryetarit me nr. 33 datë 27.04.2017, ka konstatuar se, “…për pagesën e të ardhurave për pjesëmarrje në komisionet parlamentare të deputetëve është mbajtur tatim në burim, në masën 15% e shumës së përfituar, në kundërshtim me kërkesat e Ligjit nr. 8438 datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar, si edhe me kërkesat e Udhëzimit nr. 5, datë 30.01.2006 “Për tatimin mbi të ardhurat i ndryshuar, në pikën 2.3.1. Administrata e Kuvendit ka zbatuar pikën 5, gërma “c” të Vendimit të Kuvendit Nr. 114/2014 datë 24.12.2014, “Për mënyrën e trajtimit të deputetëve”, ku parashikohet se: “Tatimi i shpërblimeve për pjesëmarrje në komisione do të konsiderohet si tatim në burim”. Ky përcaktim bie në kundërshtim me sa parashikohet në Nenin 9 pika 1/a e Ligjit Nr. 8438, datë 28.12.1998”, thuhet në reagimin e KLSH.
“Pagat dhe shpërblimet, në lidhje me marrëdhëniet e punës aktuale, do të tatohen sipas tarifave si vijon:
Nga 0 – 30,000 lekë, 0%;
Nga 30,001 – 130,000 lekë, 13% e shumës mbi 30,000 lekë, dhe
Mbi 130,000 lekë, 13,000 lekë + 23% e shumës mbi 130,000 lekë”.
Po kështu, në Udhëzimin Nr. 5, datë 30.01.2006 “Për tatimin mbi të ardhurat” i ndryshuar, në pikën 2.3.1 parashikohet se, “në grupin shpërblime të tjera përfshihen gjithashtu të ardhura që realizohen nga pjesëmarrja e individit në komisione (…) nga ku në pikën (b) parashikohet se, në rastet kur shpërblimi i përfituar për pjesëmarrje në komisione, komitete, këshilla, borde drejtuese, këshilla mbikëqyrëse etj., paguhet në qendrën efektive të punës së individit, këto të ardhura do të tatohen, duke u bashkuar me pagën e muajit përkatës.
Pra, bazuar në bazën ligjore sa më sipër del qartazi se, tatimi i deputetëve duhet të jetë në masën 23% si; Për tatimin mbi të ardhurat dhe jo 15% si tatim në burim, sikurse është vepruar deri tani.
Për sa më sipër, bazuar në Vendimin e Kryetarit të KLSH Nr.33 datë 27.04.2017 është lënë rekomandim që institucioni i Kuvendit të Shqipërisë, t’i kërkojë Byrosë së Kuvendit shfuqizimin e pikës 5, gërma “c” e Vendimit Nr.114/2014 datë 24.12.2014, “Për mënyrën e trajtimit të deputetëve”.
Për më tepër lexoni në web e KLSH, Vendimin e Kryetarit Nr.33 datë 27.04.2017”, thuhet në reagimin e KLSH.