Votim pa popullin nuk do të ketë, 88 ditë protestë

Dita e 87 e qëndresës për zgjedhje të lira solli të vërtetën e qytetarëve në sheshin e lirisë. Studentët denoncuan faktin se kryeministri nuk e ka të vështirë të sakrifikojë kandidatët e tjerë, si ishte rasti i tërheqjes së kandidatit të Kavajës, për sa kohë nuk sakrifikon asgjë nga pushteti i tij.
Dea Kapllanaj tha se një kryeministër që sakrifikon gjithçka në mënyrë që të mbajë karrigen e tij të pushtetit edhe dy muaj më shumë, është e kuptueshme se punon vetëm për veten e tij.
Pranvera Bodinaku, kryetare e Sindikatës për Tregti e Turizëm tha se perdja e zezë që kryeministri ka vendosur në hyrje të godinës së tij është ilustrim i perdes së zezë që i ka zënë sytë dhe veshët, duke e shkëputur nga realiteti i qytetarëve.
50 mijë lekë të vjetra i paguan shteti familjeve në nevojë që përbëhen nga pesë ose gjashtë anëtarë, tha Ana Basha nga Kukësi, duke dhënë shembullin e shkatërrimit të ekonomisë, por edhe dinjitetit të qytetarëve shqiptarë të shkaktuar nga makutëria e kësaj qeverie.
Një nga studentët e pranishëm, Ermal Peçi thirri në memorie fjalët e Benjamin Franklin, për t’i thënë qëndrestarëve se sado të lodhur dhe sulmuar të jenë, e ardhmja e tyre varet vetëm nga vendosmëria tek e drejta e secilit. “Patriot është ai që lufton shtetin e vet, kur ai nuk është ligjor”.
Uran Derri, konsulent financiar dhe kontabilist, tregoi se vetëm një muaj më parë, në SHBA së bashku me kolegë të huaj dhe vendas u krye një studim për sistemin tatimor në Shqipëri, përballë atij amerikan.
Nga studimi rezultoi se problemi më i madh në Shqipëri është menaxhimi i të ardhurave të TVSH. Kjo normë e aplikuar nga qeveria rezulton efikase vetëm në vlerën 10% të saj, tha Uran Derri, gjë që e bën propozimin e zotit Basha për një TVSH prej 15% të zbatueshëm dhe tepër të favorshëm për thithjen e investimeve të huaja.
Profesionistët kujtuan shprehjen e ekonomistit Adam Smith, i cili thoshte se rendi ekonomik në një vend demokratik, varet nga rendi moral. Është kjo, ajo që e bën këtë kauzë të përbashkët, tha Ervin Zeneli, baba prej 6 muajsh dhe i papunë, i cili tha se shtysën për të protestuar me fort se kurrë e sheh tek ideja për të përmirësuar të ardhmen e foshnjes së tij.
Endrit Sadikaj dhe Denisa Ruçi thanë se sot nuk kanë frikë të ngrenë zërin për mungesën e lirive dhe të drejtave të tyre, pasi për ta edhe më e frikshme është pritshmëria për katër vite të tjera pa shkollim, pa punë, pa dinjitet, pa liri si qytetarë të një vendi demokratik.

Kërkojnë të qeverisin pa opozitë, diktaturë

Lulzim Basha i tha qytetarëve se interesi i Republikës së vjetër është jo tek mirëqeverisja e shqiptarëve, por tek qeverisja e tyre pa pengesa, pa kundërshti, që është edhe thelbi i një diktature totalitare.
“Pasi ka shkatërruar dhe kapur gjithçka, qeveria e Edi Ramës dhe ai vetë ka një plan të kapë zgjedhjet e ardhshme. Dje u thoshte shqiptarëve se Parlamenti i ri do të jetë më i mirë pa opozitën sepse do të ketë më pak sherre. Harron që Parlamenti më me pak sherre në histori ka qenë Kuvendi i Republikës Popullore të Shqipërisë, ku nuk kishte kundërshti sepse, terrori, plumbi, internimi dhe burgosja e qindra mijëra shqiptarëve, ishte në rend të ditës. Sa më pak sherr në Parlament, aq më shumë njerëz të terrorizuar, aq më shumë të drejta të shkelura. Sa më pak të ketë mundësinë të ngrejë zërin në Parlament përfaqësuesi i popullit, aq më shumë shtypet, vidhet dhe nëpërkëmbet populli. Ky është një mësim i patjetërsueshëm i historisë”.
Lulzim Basha tha se kjo mendësi aspak demokratike, aspak europiane, vjen si pasojë e konsiderimit të politikës si lojë dhe qytetarëve si gur shahu që sakrifikohen për pushtetin dhe fitoren personale të një njeriu.
“Për të, kjo lëvizje, ky bashkim shqiptarësh është lojë. Por hallet tuaja nuk janë lojë. Shpresat tuaja nuk janë lojë. Për të, njerëzit janë statistika, janë shifra, janë gurë shahu, ku rëndësi ka vetëm pasurimi i tij, vetëm pushteti i tij”.
Kryetari Basha tha se ky plan i Edi Ramës, për zgjedhje moniste pa opozitën dhe një Parlament të kapur që do të thellojë krizën e qytetarëve nuk do të ndodhë dhe se garanci e kësaj janë vetë qëndrestarët e Republikës së re.
“Nuk ka për të pasur zgjedhje pa opozitën dhe pa popullin, nuk ka për të pasur një Parlament monist. Vetëm një qeveri teknike, që do të zbatojë ligjin e dekriminalizimit, që do të luftojë paktin e drogës dhe parave të drogës në zgjedhjet e ardhshme, që do të garantojë votën e lirë të shqiptarëve e të pacenuar do të pranojnë qytetarët. Ne kemi qenë dhe jemi të bashkuar. Ne kemi qenë shumë dhe sot jemi më shumë. Kemi qenë të fortë e sot jemi akoma më të fortë. Kemi qenë të duruar, por sot jemi më të paduruar. Ose zgjedhje të lira dhe të ndershme ose zgjedhje të tjera në Shqipëri nuk do të ketë”.