Rama presion mbi Kolegjin

Armand MAHO

Anëtarët e Kolegjit Zgjedhor po përballen me presionin e  Edi Ramës, për të mos nxjerrë nul regjistrimet e listave të kandidatëve që u bënë në shkelje të Kodit Zgjedhor më datë 29 prill. Vendimi duhet të merret më datë 18 maj, nga një pesëshe gjyqtarësh e zgjedhur sipas shortit, ndërkohë që Neni 67 i Ligjit i ka përcaktuar qartë kriteret dhe afatet e regjistrimit të kandidatëve në këto zgjedhje. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha denoncoi dje nga çadra e opozitës përpjekjet e Ramës, për t’u bërë presion dhe tentuar që të blejë shumicën në  kolegj, por të njëjtat informacione vijnë dhe nga Gjykata ku burime të atjeshme pohojnë pikërisht atë që tha kryetari i PD-së. Me anë të kasnecëve të tij, Rama u ka kërkuar që ata të shkelin ligjin, duke rrëzuar ankimimin e Partisë Agrare Ambientaliste, pranimi i të cilës do i shuante ëndrrën e tij për të pasur një parlament të tipit të Putinit. “Shikoni se çfarë bëri me procesin monist dhe farsë që po gatit më 18 qershor. Pasi e futi procesin në kolaps ligjor, listat i ka 24 orë me vonesë dhe nëse ia dalin ata burra dhe gra të Kolegjit Zgjedhor të çlirohen nga dara e presionit qeveritar që ka filluar dhe nga zhaget që po u tundin, do ta konstatojnë këtë, sepse çdo shqiptar mund të numërojë nga zero deri në 50 apo jo?”, do shprehej kryetari i PD-së.

Ankimimi

Kërkesa për të shpallur si antiligjor vendimin e KQZ-së për pranimin e listave nuk është bërë vetëm nga Partia Agrare Ambientaliste e mbështetur dhe nga opozita. Të njëjtën kërkesë ka drejtuar në Kolegj dhe Partia Aleanca Popullore e drejtuar nga Artur Dojaka, edhe kjo e regjistruar si subjekt zgjedhor pranë KQZ. Pra, drejt Kolegjit tashmë janë drejtuar dy kërkesa, për të njëjtën çështje. Por çfarë ndodh nëse Kolegji rrëzon vendimin e KQZ për shtyrjen e zgjedhjeve. Realisht data 18 qershor bie dhe Presidentit në detyrë i duhet të dekretojë një datë tjetër. Juristët shprehen se i gjithë procesi nis nga fillimi dhe bashkë me të edhe afatet e regjistrimit, afatet për dorëzimin e listave dhe gjithçka tjetër. Në bazë të Kodit Zgjedhor regjistrimi i subjekteve nuk mund të bëhet më parë se 70 ditë nga data e zgjedhjeve, dhe Kodi nuk merr parasysh regjistrime të një date që është rrëzuar më parë. Më tej, vijnë afatet e koalicioneve me 60 ditë, dhe në fund listat e kandidatëve me 50 ditë afat. Pra, nëse dekreti i parë bëhet nul nga Kolegji, në dekretin e dytë Presidenti duhet të marrë parasysh dhe afatet. Këto afate nuk merren parasysh vetëm në rast të zgjedhjeve të parakohshme.

Zgjidhja

Në fakt kjo duket si zgjidhje ideale për Ramën, për të mos ikur me bisht ndër shalë si në rastin e Kavajës. Opozita e ka deklaruar prerë dhe qartë se zgjedhje më 18 qershor pa opozitën nuk do të ketë, por Edi Rama njihet për mungesën e tij të theksuar në njohje të demokracisë. Në fakt, ai i trembet një rezultati në zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe prandaj bën çdo përpjekje për të shkatërruar jo vetëm kompromiset, por edhe rrugët ligjore. Endrra e tij, për të hyrë në zgjedhje pa opozitën mund të shkatërrohet nga Kolegji Zgjedhor, i cili para tij ka zbatimin e ligjit dhe jo tekat e  kryeministrit, i cili do mbahet mend për deklaratat mjerane kur thotë se, “do ndërtojë një opozitë të re”… Ajo listë e dorëzuar në KQZ e subjekteve vetëm opozitë që s’mund të quhet. Në rast se, Rama ka parasysh se opozitën mund ta zëvendësojë me Bojaxhiun, Topin apo Partinë Komuniste, atëherë pa frikë që mund të quhet një njeri i rënduar psikologjikisht që nuk  e ka idenë e sistemit. Partia Demokratike dhe opozita është ajo që kanë votuar shqiptarët, dhe ajo smund të tjetërsohet sipas tekave të njërit apo tjetrit kryeministër, qoftë ky dhe i biri i Kristaqit.

Presionin e parë Rama tentoi ta bënte me Bibën e KQZ

Nga arsyetimi i dorëzuar në Kolegj duket qartë se, pas shkeljes së afateve të regjistrimit, zgjedhjet e 18 qershorit kanë rënë dhe Kolegjit tashmë i mbetet në dorë që të rrëzojë këtë fasadë zgjedhjesh farsë, që kërkon të organizojë Rama. Kolegjit tashmë i mbetet vetëm një rrugë, në rast se vërtet do të zbatojë ligjin, të rrëzojë datën 18 qershor, e cila juridikisht është rrëzuar nga vetë mazhoranca me shkeljen e afateve. Në tentativë për të ndikuar në vendimin e Kolegjit, Rama do nxirrte dhe kryetarin e KQZ, që është shkelësi kryesor i ligjit, për të argumentuar se PAA vërtet është regjistruar si subjekt po ska dorëzuar kandidatë. Në fakt, ajo që bëri Biba, ishte vetëm një orvatje për të justifikuar shkeljen e ligjit që ai ka bërë me urdhër të shefit të tij, dhe një tentativë për të ndikuar në vendimin e Kolegjit. Partia Agrare Ambjentaliste, por edhe opozita në përgjithësi, ka të gjithë të drejtën të ankimojë në Kolegj në rast se shikon shkelje të ligjit nga ana e institucionit që drejton Biba. Gjithsesi, duket se fjalët e Bibës deri më tani pak kanë ndikuar në vendimmarrjen e Kolegjit, i cili ka pranuar kërkesë padinë e PAA dhe ka lajmëruar seancën më 18 maj.