Tottenhami mposht United

Tottenham Hotspur siguron edhe matematikisht vendin e dytë në Premier League. Skuadra e Pochettinos mposhti 2-1 Manchester United në ndeshjen e fundit shtëpiake në këtë kampionat, por edhe të fundit në stadiumin e famshëm “White Hart Lane”, duke i bërë kështu mbylljen më të mirë impiantit londinez, pasi sezonin e ardhshëm Spurs-at do t’i luajnë ndeshjet e tyre si skuadër pritëse në mitikun “Wembley”, në pritje të përfundmit të stadiumit të ri. Përballë një Manchesteri me mungesa të shumta dhe me mendjen te finalja e Europa League ndaj Ajaxit, Tottenhami arriti të zhbllokonte shifrat pas vetëm 5 minutash lojë. Mesfushori nga Kenya Wanayama i shërbyer nga Davies kërceu më lartë se të gjithë dhe me kokë arriti të mposhte David De Gean. Në fillimin e pjesës së dytë, Harry Kane dyfishoi shifrat, duke zgjatur këmbën pas një krosimi nga një goditje standarde të Eriksen. Golin e vetëm për Djajtë e Kuq e realizoi Waynee Rooney në minutën e 72-të pas një topi që mori nga Martial. Përpjekjet e skuadrës së Jose Mourinhos, për të barazuar rezultatin nuk u konkretizuan në minutat e mbetura dhe në fund festa ishte e gjitha për tifozët e Tottenham-it, që pushtuan fushën, për një mbyllje sa më spektakolare të stadiumit “White Hart Lane”.
Hodhi një hap të rëndësishëm drejt kualifikimit në Champions League, Liverpooli që mposhti lehtësisht në transfertë West Ham-in me rezultatin e thellë 4-0. Daniel Sturridge në pjesën e parë, Coutinho dy herë pjesën e dytë dhe në fund Origi ishin autorët e golave për skuadrën e Jurgen Klopp.