Si e lanë të kalonte kamionin me 2.2 ton drogë doganierët e Vorës

Kamioni me 2.2 tonë drogë që u bllokua më 24 mars 2017 në Itali, rezulton se është peshuar nga doganierët e Vorës. Edhe pse është konstatuar pesha prej 2.2 tonë hashash më madhe se sasia e mallit të deklaruar në faturë, doganierët dhe policia nuk kanë ushtruar kontroll fizik të saj dhe as me qenin antidrogë. Prokuroria për Krime të Rënda zbardh detaje të trafikut të drogës me kamion nga Durrësi në drejtim të Italisë, për llogari të të cilit janë arrestuar 21 persona, punonjës dogane dhe efektivë policie.
Sipas Prokurorisë, mësohet se kamioni me shofer shqiptar, që u bllokua në portin e Barit, pasi brenda tij kishte të fshehur 2.2 tonë hashash, nuk i është nënshtruar kontrollit fizik në dalje të Portit të Durrësit. Burimet thonë, se kamioni është peshuar në doganën e Vorës dhe pavarësisht se pesha e tij, ka rezultuar më e madhe se sa ishte deklaruar në faturat dalëse të mallit që transportonte, nuk i është nënshtruar kontrollit fizik. Në peshore, thonë burimet, dukej qartë që kamioni kishte një ngarkesë prej 2.2 tonë më shumë se sa ishte deklaruar në fatura dhe kjo nuk i ka bërë përshtypje doganierëve për ta kontrolluar rimorkion.
Ky moskontroll, ka shtuar dyshimet te Prokuroria se doganierët kanë bashkëpunuar me trafikantët për të lehtësuar kalimin e kamionit me 2.2 tonë hashash nga Durrësi në drejtim të Italisë. Nga ana tjetër, kamioni që ka kaluar portin mbrëmjen e 24 marsit 2017 nuk i është nënshtruar as kontrollit me qen antidrog nga Policia e Portit, duke hedhur dyshime se punonjësit e policisë janë përfshirë në trafikun e drogës. Të pyetur për këto dyshime, punonjësit e policisë dhe doganierët e Portit të Durrësit, tashmë të arrestuar kanë mohuar këtë fakt. Duke pretenduar se nuk e njihnin shoferin e kamionit që u arrestua në Itali me 2.2 tonë hashash dhe personat që mund ta kenë nisur nga Shqipëria.
Për llogari të këtij hetimi dhe të kalimit të 8 tonëve hashash nga Porti i Durrësit drejt Portit të Ankonës në Itali, Prokuroria ka arrestuar 21 persona. Mes të arrestuarve janë agjentë doganor, punonjës të Doganës së Qafë Thanës, Durrësit dhe Tiranës si dhe efektivë policie të këtyre pikave të kalimit kufitar. Për këtë çështje, mësohet se Prokuroria ka kërkuar me anë të letër-porosisë, deklarimet e shoferit shqiptar të kamionit me 2.2 tonë hashash. Si dhe atë të shoferit maqedonas të kamionit me 8 tonë hashash që u bllokua në Itali më 5 shkurt të 2017 dhe që dyshohet se është ngarkuar në një magazinë që ndodhet në Qarkun e Elbasanit.